Klodiana Lala: Një nga gjyqtarët e Kushtetueses ndryshoi mendim në fund për Ballukun
Gjykata Kushtetuese ka vendosur “ngrirjen” e zbatimit të dy vendimeve të Gjykatës së Posaçme të Apelit (GJKKO), të cilat kishin pezulluar nga detyra zv/kryeministren dhe ministren e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku.
Vendimi u mor me 5 vota pro dhe 3 kundër, duke treguar një ndarje të qartë brenda trupës gjyqësore. Në favor të qeverisë votuan gjyqtarët Sonila Bejtja, Fiona Papajorgji, Genti Ibrahimi, Sandër Beci dhe Marjana Semini. Kundër votuan Marsida Xhaferllari, Ilir Toska dhe Asim Vokshi, të cilët paraqitën një mendim pakice.
Gazetarja Klodiana Lala raportoi se deri në momentet e fundit, gjyqtarët e Kushtetueses ishin të ndarë 4 me 4. Njëri nga anëtarët ka ndërruar mendim në minutën e fundit, duke sjellë rezultatin 5 me 3.
“Vendimi i Kushtetueses është marrë në një klimë të fortë tensioni mes kryeministrit dhe GJKKO-së. Zoti Rama, menjëherë pas vendimit të GJKKO-së që pezulloi Ballukun, vendosi t’i drejtohej Gjykatës Kushtetuese,” tha Lala.
Ajo shtoi se për Belinda Ballukun, masat ndaluese për mos-largim nga Shqipëria mbeten në fuqi. “Gjyqtarët ishin të ndarë 4 me 4 deri në orët e fundit, dhe në minutën e fundit njëri ka votuar ndryshe, duke sjellë raportin 5 me 3. Kushtetuesja ka thënë qartë se Balluku rikthehet përkohësisht në detyrë deri në datën 22 janar, kur do të mbahet seanca plenare publike. Megjithatë, kjo nuk do të thotë domosdoshmërisht se kryeministri e ka fituar betejën, pasi në seancën plenare do të ketë përfaqësi ligjore të të gjitha institucioneve,” – theksoi Lala.
Sipas gazetares, tre gjyqtarët që votuan kundër u përballën me sulme. “Pashë mendimin e pakicës. Sulmi që iu bë Asim Vokshit nga të gjitha krahët e politikës, u provua se ishte sulm i koordinuar. Xhaferllari dhe Vokshi nuk janë të ‘kapur’ nga politika. Qeverisë dhe ndoshta segmenteve të caktuara të politikës, u duhen gjyqtarë të tillë. Tre gjyqtarët argumentojnë se ndërhyrja në gjykatë dëmton mirë-administrimin e drejtësisë. Pra, Gjykata Kushtetuese, edhe pse ka rikthyer në detyrë, sipas pakicës ka cenuar drejtësinë, duke i dhënë mundësinë personit nëse ka rrezik të prishë provat dhe të intimidojë dëshmitarët ta bëjë menjëherë,” – përfundoi gazetarja.
