Gjykata Kushtetuese rrëzon shumicë votash shkarkimin e Veliajt nga Rama
Gjykata Kushtetuese vendosi të hënën të rrëzojë vendimin e Këshillit të Ministrave për shkarkimin e Erion Veliajt nga detyra e Kryetarit të Bashkisë së Tiranës. Vendimi u bë publik nga Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese, Holta Zaçaj.
Zaçaj sqaroi se vendimi u mor me shumicë votash dhe se shumica e gjykatësve e konsideroi vendimin e Këshillit të Ministrave si të papajtueshëm me Kushtetutën. Ajo theksoi se qeveria nuk kishte paraqitur shkelje të rënda të Kushtetutës që do justifikonin shkarkimin.
Sipas njoftimit, Gjykata vlerësoi, me shumicë votash, se Këshilli i Ministrave, duke vendosur shkarkimin sipas nenit 62, shkronja “c”, të ligjit nr. 139/2015, nuk e ka justifikuar atë me shkeljen e rëndë të Kushtetutës dhe ligjeve, për të cilat Veliaj mund të mbahej përgjegjës. Gjykata theksoi gjithashtu se mbrojtja e interesit publik për të garantuar të drejtën e zgjedhësve për t’u qeverisur nga një organ i zgjedhur drejtpërdrejt nuk mund të justifikojë cenimin e garancive kushtetuese.
Me këtë vendim, të marrë me shumicë votash, Veliaj mbetet kryebashkiak ndërsa anulohet dekreti i Presidentit për zgjedhjet e parakohshme në Tiranë. Zaçaj bëri me dije se një vendim për pezullimin e këtij dekreti mbetej në fuqi deri në zbardhjen e vendimit të Gjykatës Kushtetuese.
Gjykata Kushtetuese gjeti gjithashtu se vendimi i Këshillit Bashkiak për shkarkimin e Veliajt ishte i papajtueshëm me Kushtetutën e vendit. Ndër arsyet kryesore ishte fakti se ishte cenuar e drejta e Veliajt për t’u dëgjuar. Gjykata, me shumicë votash, vlerësoi se procedura e ndjekur nga këshilli bashkiak dhe Këshilli i Ministrave, duke mos e njoftuar Veliajn, nuk ka garantuar të drejtën e tij për proces të rregullt në aspektet e së drejtës për t’u dëgjuar dhe për t’u mbrojtur.
Veliaj u shkarkua nga detyra me iniciativë të Kryeministrit Edi Rama. Ky i fundit vuri në lëvizje edhe Këshillin Bashkiak, i cili më pas votoi unanimisht, përfshi opozitën, për shkarkimin e Veliajt. Në Këshill, Veliaj u shkarkua mbi argumentin e “mosparaqitjes në detyrë për një periudhë 3-mujore”, ndërkohë që ai ndodhet në masën e arrestit me burg që prej shkurtit 2025, për shkak të hetimeve të SPAK-ut për korrupsion.