Gjykata Penale s’mund të pezullojë ministër, argumenton Kryeministria

Përfaqësuesja e Kryeministrisë: Gjykata Penale nuk mund të pezullojë një ministër

Përfaqësuesja e Kryeministrisë ka paraqitur argumentet e saj në Gjykatën Kushtetuese kundër vendimit për pezullimin nga detyra të Belinda Ballukut, për të cilën Prokuroria Speciale kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ka kërkuar arrestimin.

Sipas Kryeministrisë, vendimi i Gjykatës së Posaçme të Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) për pezullimin e Ballukut si zv.kryeministre dhe ministre ka cenuar një nga parimet themelore të shtetit, atë të ndarjes së pushteteve.

“GJKKO pretendon se kjo kërkesë nuk mund të ngrihet, duke argumentuar se nuk ka marrëdhënie juridike kushtetuese. Ne sqarojmë se kjo nuk është një ankimim kushtetues individual dhe nuk ka të bëjë me nevojën e mbrojtjes së të pandehurit. Kërkesat lidhen me marrëdhënien midis tre pushteteve. A ka të drejtë gjykata penale të pezullojë nga detyra një ministër? Ne vlerësojmë se jo!” thuhet në deklaratën e Kryeministrisë.

Për sa i përket legjitimitetit të paraqitjes së ankimimit, Kryeministria sqaron se Këshilli i Ministrave përfshihet në këtë gjykim si organ i prekur, pasi pezullimi i ministres pengon funksionimin e strukturave dhe projekteve të tij.

“Ministri i pezulluar nuk mund të propozojë më asnjë akt pranë Këshillit të Ministrave, ndërsa kryeministri mund të propozojë vetëm për fusha që nuk mbulohen nga asnjë ministër. Në këtë mënyrë, kryeministri vendoset në pozicionin ku duhet të zëvendësojë një ministër, gjë që e shtyn Këshillin të kërkojë shkarkimin e tij. Nëse pasojat e këtij vendimi janë të lejueshme nga Kushtetuta, ky është thelbi i çështjes,” vijon sqarimi.

Lidhur me pretendimin se duhet të tejkalohen të gjitha shkallët e gjyqësorit, Kryeministria thekson se ky rregull vlen vetëm për ankimimet e bëra nga individë, jo nga Këshilli i Ministrave.

“Mandati nuk mund të pengohet nga asnjë akt i asnjë pushteti tjetër, por vetëm nga Kushtetuta; përndryshe, prishet balanca e pushteteve. Pezullimi i ministrit nuk mund të bëhet në këtë rast. GJKKO ka juridiksion për të gjykuar veprën penale që ka kryer individi, por nuk ka kompetencë për të dhënë masa mbi mandatin e tij. Për pezullimin duhet të shprehet organi kompetent. Në rastin konkret, Kuvendi ka kompetencë për të dhënë autorizimin për masat që pengojnë ushtrimin e detyrës së ministrit. Vendimi i njëanshëm që është marrë për zv.kryeministren nuk përmbush këtë standard dhe cenon parimin e ndarjes dhe balancimit të pushteteve. Vendimet për pezullimin nga detyra dhe bllokimin e pasaportës janë vendime të nxjerra në kundërshtim me Kushtetutën. Kërkojmë pranimin e kërkesës sonë,” përfundon deklarata e përfaqësueses së Kryeministrisë.

Scroll to Top