Gjykata Speciale Kosovë refuzon të komentojë deklaratat e Ramës

Gjykata Speciale reagon ndaj deklaratave të Ramës

Dhomat e Specializuara të Kosovës, me seli në Hagë, Holandë, nuk pranojnë të komentojnë deklaratën e kryeministrit Rama, të bërë disa ditë më parë në Bordin e Paqes.

Në përgjigje të interesimit të MCN TV, Dhomat e Specializuara u shprehën: “Dhomat e Specializuara janë plotësisht të përqendruara në zbatimin e mandatit të tyre për të siguruar gjyqe të drejta, të paanshme dhe të sigurta. Ne nuk komentojmë deklaratat e bëra nga figura politike apo të tjera.”

Javën e kaluar, në takimin e parë të Bordit të Paqes, më 19 shkurt, kryeministri Rama iu referua procesit gjyqësor në Hagë kundër katër ish-krerëve të UÇK-së. Rama theksoi se ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ishte arrestuar pak para se të udhëtonte drejt Uashingtonit, ku pritej të nënshkruhej një marrëveshje me Serbinë, e propozuar nga presidenti Trump. Ai shtoi se ky arrestim “u bë nga ai prokuror me rezultate të dyshimta (Jack Smith), i cili ndoqi edhe vetë presidentin Trump dhe për këtë u bë i famshëm në mbarë botën.”

Rama deklaroi se Gjykata e Hagës ka dështuar në çdo fazë t’u përmbahet standardeve të drejtësisë demokratike, ndërsa iu drejtua presidentit amerikan me kërkesën: “Le të bëjmë diçka, para se, siç thoni ju, të ndodhin sërish gjëra shumë të këqija.”

Scroll to Top