Gjykata vazhdon masat ndaj Belinda Ballukut

Gjykata vendos vazhdimin e masave të sigurimit ndaj Belinda Ballukut dhe dy vartësve të saj.

Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar ka vendosur të shtunën, më 22 nëntor, vazhdimin e masave të sigurimit personal ndaj zëvendëskryeministres Belinda Balluku. Masat përfshijnë pezullimin nga detyra dhe ndalimin e daljes jashtë shtetit, pasi ajo është marrë e pandehur nga SPAK për shkelje të barazisë në tenderin e Tunelit të Llogarasë dhe të lotit 4 të Unazës së Jashtme të Tiranës. Këto vepra penale dyshohet se janë kryer në bashkëpunim me vartësit e saj.

Gjithashtu, u vendos vijimi i masave të sigurimit personal “Arrest në shtëpi” për të pandehurin Erald Elezi, aktualisht administrator i Koorporatës Elektroenergjitike Shqiptare (KESH), dhe për drejtorin e Autoritetit Rrugor Shqiptar (ARRSH), Gentian Gjyli.

Gjykata ka urdhëruar SPAK-un dhe shërbimet e policisë gjyqësore për zbatimin e këtij vendimi.

Zëvendëskryeministrja, njëkohësisht ministre e Energjetikës dhe Infrastrukturës, Belinda Balluku, si dhe zoti Gjyli e zoti Elezi nuk iu përgjigjën pyetjeve të gazetarëve gjatë hyrjes dhe daljes nga ambientet e Gjykatës së Posaçme. Ata qëndruan për rreth pesë orë e gjysmë gjatë seancës, e cila kishte si objekt marrjen në pyetje dhe verifikimin e kushteve dhe kritereve për zbatimin e masave të sigurimit personal me karakter shtrëngues dhe ndalues, të caktuar më 19 nëntor.

Balluku, ish-drejtori i ARRSH-së, Evis Berberi, Gjyli, Elezi dhe vartës të tjerë të saj akuzohen se kanë manipuluar dy tenderat për Tunelin e Llogarasë dhe lotin 4 të Unazës së Jashtme të Tiranës, me vlerë totale 210 milionë euro, duke favorizuar kompanitë fituese.

Sipas vendimit të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë, masat e sigurimit ndaj Ballukut, si dhe ndaj vartësve të saj që drejtojnë KESH dhe ARRSH, janë të nevojshme pasi:

  • Ekziston rreziku i dëmtimit të provave.
  • Ekziston rreziku i ndikimit tek punonjësit e këtyre institucioneve që po merren në pyetje si dëshmitarë.
  • Ata mund të vijojnë të abuzojnë me fondet publike.
  • Ekziston rreziku i arratisjes.

Gjykata vlerëson se masat e sigurimit ndaj Ballukut nuk e pengojnë atë të ushtrojë funksionin si e zgjedhur në Kuvendin e Shqipërisë.

Kryeministri Edi Rama, një ditë më parë, ka sulmuar SPAK-un lidhur me masat e caktuara ndaj Ballukut dhe ka deklaruar se mazhoranca do ta ankimojë vendimin në Gjykatën Kushtetuese. Ndërkohë, qeveria do të operojë pa zëvendëskryeministër dhe pa ministër të Energjisë dhe Infrastrukturës.

Scroll to Top