Gjyqi i Ilir Beqajt për koncesionin e sterilizimit shtyhet
Gjyqi ndaj ish-ministrit Ilir Beqaj, i akuzuar në lidhje me koncesionin e sterilizimit, është shtyrë për datën 3 shkurt, në orën 12:00. Vendimi vjen pas një debati lidhur me aksesin në provat hetimore dhe infrastrukturën e nevojshme për analizimin e tyre.
Drejtoria e Burgjeve i është përgjigjur kërkesës së mbrojtjes së Beqajt për të shfletuar fashikujt hetimorë me anë të një kompjuteri të pak lidhur me internetin. Institucioni ka theksuar se nuk disponon infrastrukturën e nevojshme për të kryer një procedurë të tillë.
Gjatë seancës, Beqaj ka cilësuar mungesën e ekspertizës dhe mënyrën e marrjes së provave si një përballje me presion politik. Ai u shpreh se gjatë hetimeve paraprake kërkoi që SPAK të kryente ekspertizën e provave, por kjo nuk ndodhi. Sipas tij, SPAK ka aplikuar “metodën e persekutimit publik”.
Beqaj e ka krahasuar situatën aktuale me gjyqet e vitit 1946, duke vënë në dukje se edhe atëherë, ashtu si tani, provat nuk janë paraqitur siç duhet dhe publiku shpesh ndërhyn në proces.
“Gjyqi im është si në 1946: prokuroria çoi një person në gjyq, gjyqtarja pyeti ku janë provat, prokurori tha hap penxheren, gjyqtarja e hapi dhe turmat thërrisnin ‘kriminel, kriminel’ – kështu dhe SPAK-u,” deklaroi Beqaj.
Gjykata ka vendosur t’i japë kohë mbrojtjes dhe të pandehurit për të dëgjuar audiot e seancës paraprake, duke shtyrë vendimin përfundimtar për datën 3 shkurt, ora 12:00.
