Gjyqtari i Tiranës Agron Zhukri shkarkohet nga detyra

Kolegji i Posaçëm i Apelimit (KPA) ka lënë në fuqi vendimin për shkarkimin nga detyra të gjyqtarit të Tiranës, Agron Zhukri.

Vendimi u mor të enjten, më 6 nëntor, në mënyrë unanime nga trupi gjykues i KPA, i kryesuar nga Sokol Çomo, me relatore Natasha Mulaj dhe anëtare Albana Shtylla, Ina Rama e Mimoza Tasi. Ky vendim erdhi pas shqyrtimit në dhomë këshillimi të ankimimit të Zhukrit kundër vendimmarrjes së Komisionit.

Vendimi i KPA-së është përfundimtar dhe hyn në fuqi menjëherë.

Agron Zhukri, gjyqtar i Gjykatës së Tiranës, nuk kishte pasuri të regjistruar në emër të tij. Megjithatë, bashkëshortja e tij zotëronte pasuri të luajtshme dhe të paluajtshme, të cilat ishin krijuar gjatë martesës. Në disa prej këtyre pasurive, burimet e krijimit ishin deklaruar si të ardhurat nga puna e përbashkët.

Bazuar në Kodin e Familjes, Komisioni i Pavarur i Kualifikimit vlerësoi se këto pasuri i nënshtroheshin regjimit pasuror martesor të bashkësisë ligjore të dy bashkëshortëve.

Një bilanc negativ i konsiderueshëm dhe pasaktësitë në deklarimet e pasurive ishin arsyet që çuan në shkarkimin e Zhukrit nga detyra.

Agron Zhukri e filloi karrierën në sistemin e drejtësisë në vitin 1994 dhe shërbeu për më shumë se dy dekada si gjyqtar në Gjykatën e Tiranës.

Scroll to Top