Gjyqtarja Irena Gjoka shmang verifikimin për dënimin në Greqi

Dënimi në Greqi: Këshilli i Lartë Gjyqësor i shmanget vendimit për Irena Gjokën

Këshilli i Lartë Gjyqësor (KLGJ) nuk pranoi të fillojë procedurat për verifikimin e gjyqtares Irena Gjoka, pas raportit të Prokurorisë së Përgjithshme. Ky raport theksonte se ajo nuk kishte deklaruar në formularin e saj një dënim të marrë në vitin 2005 në Greqi për falsifikim vize.

Vendimi u mor pas diskutimeve të zhvilluara brenda KLGJ-së. Shumica e anëtarëve argumentuan se çështja nuk hynte në kompetencat e drejtpërdrejta të këtij institucioni. Sipas shumicës, rasti duhet t’i kalojë për shqyrtim Inspektorit të Lartë të Drejtësisë, i cili është organi përgjegjës për hetimin disiplinor të magjistratëve.

Si pasojë, nuk u ngrit komisioni që do të shqyrtonte dokumentacionin dhe do të niste procesin e verifikimit.

Vetë Gjoka, në një letër drejtuar KLGJ-së, argumenton se nuk ka asnjë arsye ligjore për ndërprerjen e mandatit të saj si gjyqtare. Ajo mbron qëndrimin se nuk ka kryer asnjë shkelje duke mos e deklaruar dënimin, pasi shpjegon se hyrja në territorin grek i është refuzuar pa shpjegime dhe se nuk ka pasur dijeni as për procesin gjyqësor, as për vendimin. Gjithashtu, sipas ligjeve greke, ky vendim është arkivuar dhe nuk ka marrë formë të prerë.

Dokumentet që provojnë se Irena Gjoka ka gënjyer në formularin e dekriminalizimit janë publike. Irena Gjoka është dëbuar nga Greqia për kalim kufiri me dokumente të falsifikuara, por në formular ajo ka pranuar se nuk ka qenë kurrë e dënuar.

Në atë kohë, Irena, duke mbajtur ende mbiemrin Maneku, bashkë me bashkëshortin e saj, Stefanaq Gjokën, kanë bërë një prokurë (faksimilja është bashkëngjitur) pranë një noteri në Fier për të autorizuar një avokat në Patra, me emrin Andon Konomi, për të ndjekur çështjen e tyre. Qëllimi i kësaj prokurë, datuar 31 mars 2003, pranë noterit Fejzo Behaj, ishte anullimi i masës së dëbimit të marrë nga autoritetet greke. Kjo prokurë, e publikuar nga Lapsi, dëshmon se Irena Gjoka ka pranuar se është dëbuar nga Greqia (dokumenti është bashkëngjitur).

Pikërisht për këtë arsye ajo ka bërë përpjekje edhe për ta kundërshtuar këtë masë me anë të një avokati. Megjithatë, kur erdhi puna për të thënë të vërtetën në formularin e dekriminalizimit, ajo gënjeu, duke deklaruar se nuk ishte kurrë e dëbuar. Pra, në të dyja rastet – kur gënjeu se ishte e dënuar dhe kur gënjeu se ishte e dëbuar – Irena Maneku, Shpata, Gjoka, duhet të kishte humbur të drejtën për të qenë gjyqtare.

Scroll to Top