Pre. Sht 21st, 2018

Gjysma e shqiptarëve japin ryshfet për shëndetësinë, gjykatat, policinë e tatimet

Për të marrë një shërbim publik në Shqipëri duhet të paguash jo vetëm taksat e ligjshme, por edhe parà nën dorë. Sektori më problematik është ai i Shëndetësisë.

“Këtu funksionon sistemi, nuk kemi çfarë t’i bëjmë. Qofsh me kartë identiteti e me kartë shëndeti, po nuk i dhe lekë të terrorizojnë mendërisht. E pikërisht kjo është e keqja, pasi detyron pacientin të japë lekë, sepse përndryshe nuk e sheh me sy ose e lë mënjanë”, thotë një qytetar.

Sipas një vrojtimi të financuar nga Komisioni Europian, gati gjysma e qytetarëve shqiptarë paguajnë ryshfet për t’u kuruar në spitalet apo qendrat shëndetësore publike. Kjo është shifra më e lartë në rajon, kur në vendet e tjera, përqindja e qytetarëve që paguajnë parà nën dorë për të marrë shërbim shëndetësor është 4 herë më e ulët.

“Prapë, me çfarëdolloj mënyre ta kërkojnë lekun, është e padiskutueshme. Nuk hiqet ky mikrob”, thotë një tjetër qytetar.

“Ajo dihet që duhet të paguash se s’bën. Po nuk pagove, të bën një raport e të përcjell”, thotë një tjetër.

Por shëndetësia nuk është shërbimi i vetëm, për të cilin qytetarët detyrohen të paguajnë nën dorë. Shqiptarët paguajnë ryshfet edhe për gjykatat, policinë, administratën tatimore, por edhe për shkollim, ndonëse në këta sektorë, prevalenca e ryfshfeteve është më e ulët sesa në shëndetësi.

Sipas të dhënave të publikuara në Barometrin e Ballkanit, Shqipëria rezulton parajsa ballkanike e ryshfeteve, ku qytetarët duhet të paguajnë punonjësit publikë nën dorë për të marrë shërbimet që u takojnë me ligj.

InfoPasqyra/tch

Aktualitet – Top Channel

Kategori