Glasner Drejt Milanit, Rangnick Gjithashtu në Shënjestër

Oliver Glasner dëshiron të marrë drejtimin e Milanit dhe përfaqësuesit e tij e kanë konfirmuar këtë gjatë një takimi të zhvilluar së fundmi me drejtuesit e klubit. Trajneri austriak i ka dhënë “po” Milanit, madje duke refuzuar edhe një ofertë nga Fejenordi, pasi synimi i tij kryesor është të marrë drejtimin e stolit të klubit kuqezi.

Tashmë, vetëm miratimi përfundimtar nga Gerry Cardinale, Zlatan Ibrahimović dhe Geoffrey Moncada, personat që po drejtojnë bisedimet me trajnerët dhe drejtuesit pas ndryshimeve të mëdha të ndodhura kohët e fundit në strukturat e klubit, mungon.

Glasner

Sipas raportimeve të “Corriere dello Sport”, Glasner është plotësisht i bindur për të kaluar te Milani dhe e konsideron këtë si mundësinë ideale për të drejtuar për herë të parë në karrierën e tij një klub europian të nivelit të lartë. Fakti që palët janë takuar sërish së fundmi, pas një takimi të gjatë të zhvilluar javën e kaluar, tregon se tekniku austriak ka lënë përshtypje shumë pozitive dhe se drejtuesit e Milanit vlerësojnë filozofinë e tij të lojës.

Megjithatë, nëse do të emërohej trajner i Milanit, ish-tekniku i Crystal Palace do të duhej të thyente edhe një traditë jo fort të favorshme për trajnerët e huaj në klubin kuqezi. Shembujt e fundit të Paulo Fonseca dhe Sérgio Conceição kanë forcuar bindjen se trajnerët e huaj kanë pasur vështirësi të kenë sukses në Milano.

Rangnick

Paralelisht me negociatat për Glasnerin, Milani ka vijuar kontaktet edhe me Ralf Rangnick. Klubi kuqezi ka zhvilluar biseda të tjera telefonike me trajnerin gjerman, i cili aktualisht ndodhet në Shtetet e Bashkuara me përfaqësuesen e Austrisë, para Kupës së Botës. Federata Austriake e Futbollit i ka ofruar Rangnick një rinovim kontrate deri në vitin 2028, por ideja për t’u bërë drejtori i ri teknik i Milanit vazhdon ta tërheqë shumë.

Megjithatë, kushtet e tij për të pranuar këtë detyrë janë të qarta: kërkon liri të plotë veprimi, pa ndërhyrje apo pengesa në punën e tij, mbështetje totale nga pronësia për projektin që synon të ndërtojë dhe të drejtën për të riorganizuar strukturën e klubit duke sjellë njerëzit e tij të besuar. Nëse Gerry Cardinale do të pranojë këto kërkesa, marrëveshja mes palëve mund të finalizohet pa probleme.

Scroll to Top