Grabitet muzeu sirian, zhduken 6 statuja të epokës romake
Statuja të lashta të epokës romake janë vjedhur nga Muzeu Kombëtar në kryeqytetin sirian, Damask, duke sjellë mbylljen e përkohshme të këtij objekti. Ky incident i guximshëm në departamentin klasik të Muzeut Kombëtar të Damaskut bëhet publik ndërsa Siria vijon të përballet me pasojat e një lufte civile 14-vjeçare dhe me ndryshimet politike të vitit 2024.
Mediat e huaja raportojnë se ky muze strehon antikitete të vlefshme që pasqyrojnë historinë e pasur të Sirisë. Pavarësisht masave të përforcuara të sigurisë, si portat metalike dhe kamerat e mbikëqyrjes, të vendosura pas fillimit të luftës, hajdutët kanë arritur të hyjnë në objekt.
Dy zyrtarë nga Drejtoria e Përgjithshme për Antikitetet dhe Muzetë e Sirisë konfirmuan incidentin për gazetarët, duke preferuar të flasin në kushte anonimiteti për shkak të rregulloreve të brendshme.
Njëri prej zyrtarëve bëri të ditur se nga muzeu janë marrë gjashtë statuja mermeri dhe se një hetim është duke u zhvilluar. Zyrtari tjetër specifikoi se vjedhja ndodhi të dielën në mbrëmje dhe u zbulua herët të hënën, kur u gjet një derë e thyer në departamentin klasik, ku mungonin disa statuja të epokës romake. Megjithatë, ai nuk pranoi të japë një numër të saktë të sendeve të vjedhura.
Ky rast vjen vetëm disa javë pasi hajdutët, të maskuar si punëtorë ndërtimi, vodhën një numër bizhuterish nga koleksioni i kurorës franceze në Muzeun e Luvrit në Paris. Gurët e vjedhur, me vlerë rreth 88 milionë euro, dikur i përkisnin monarkëve francezë, përfshirë Napoleonin III dhe gruan e tij, Eugenie.
Hajdutët bastisën muzeun gjatë orarit të hapur dhe grabitja zgjati më pak se tetë minuta. Disa persona janë arrestuar në lidhje me këtë grabitje, e cila nxori në pah mangësitë e sigurisë në muzeun më të vizituar në botë dhe u konsiderua nga shumë si një poshtërim kombëtar.
