Muzeu në Kaliforni u grabit, u vodhën mbi 1000 thesare shtetërore
Alarm në Kaliforni pas një grabitjeje masive ku u vodhën më shumë se 1.000 thesare shtetërore. Kjo humbje prek një koleksion emblematik që përfshin bizhuteri, kanistra të popullit vendas amerikan dhe objekte të përditshme si trofe sportive, të cilat dëshmojnë historinë e “Shtetit të Artë”.
Grabitja ndodhi në orët e para të mëngjesit të 15 tetorit, në një depo pranë Muzeut të Oakland-it, ku ruheshin këto objekte të çmuara.
Drejtuesja e muzeut, Lori Fogarti, deklaroi të enjten (30/10): “Këto nuk janë thjesht humbje për muzeun, por humbje për publikun dhe komunitetin tonë. Shpresojmë që komuniteti ynë të na ndihmojë t’i kthejmë ato.”
Ajo shtoi se hetimi po bëhet publik sepse këto objekte mund të shfaqen në tregje të huaja, dyqane antikash ose te huadhënësit.
Fogarti theksoi se grabitja nuk ishte e planifikuar, por hajdutët shfrytëzuan rastin: “Mendojmë se ata gjetën një mënyrë për të hyrë në ndërtesë, kapën gjithçka mundën të merrnin lehtësisht, dhe u larguan shpejt.”
Mes objekteve të vjedhura përfshihen varëse të artistes dhe metalurgistes së njohur Florence Resnikoff, një çift dhëmbësh të kalmarëve të detit dhe kanistra të popullit vendas amerikan. Shumë nga këto objekte janë historike, duke përfshirë shenja ekspeditash dhe çmime sportive nga shekulli i 20-të.
Misioni i Muzeut të Oakland-it është të dokumentojë artin, historinë dhe mjedisin natyror të Kalifornisë. Koleksioni i tij përfshin vepra arti nga fundi i shekullit të 18-të deri në ditët e sotme, si dhe objekte, fotografi, mostra natyrore dhe regjistrime.
