Richard Grenell, i dërguari special i ish-Presidentit amerikan Donald Trump për dialogun Kosovë-Serbi, ka kërkuar ndalimin e financimit për Gjykatën Speciale me seli në Hagë.
Përmes një postimi në platformën X, Grenell ka akuzuar drejtpërdrejt këtë institucion, duke e cilësuar atë si “totalisht të korruptuar” dhe duke pretenduar se trajton padrejtësisht ish-udhëheqës të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Në të njëjtin reagim, Grenell ka kritikuar edhe Prokurorin Special Jack Smith, i cili, kur ishte pjesë e Dhomave të Specializuara, lëshoi një urdhër-arresti për ish-Presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi.
“Haga është tërësisht e korruptuar dhe duhet t’i ndërpritet financimi. Jack Smith ishte një nga prokurorët e tyre që arrestoi presidentin në detyrë të Kosovës më shumë se pesë vjet më parë. Ai ende ndodhet në burg. Gjykimi ka filluar vetëm së fundmi,” shkruan Grenell.