Greqia-Turqia: Rivendoset Dialogu Detar, Pritet Takimi Erdogan-Mitsotakis

Athina dhe Ankaraja rivendosin dialogun për çështjet detare, pritet takimi Erdogan – Mitsotakis

Kryeministri grek Kyriakos Mitsotakis dhe presidenti turk Rexhep Taip Erdogan pritet të zhvillojnë një takim gjatë muajit shkurt. Këtë e bëri të ditur ministri i Jashtëm i Turqisë, Hakan Fidan, gjatë një konference për shtyp.

Fidan sqaroi se datat e sakta të takimit janë ende në proces përcaktimi. Ai theksoi se qëllimi i takimit është “zgjidhja përfundimtare e çështjeve të Egjeut”, duke përmendur në mënyrë specifike ujërat territoriale dhe shelfin kontinental.

Sipas televizionit ANT1, ministri i Jashtëm turk e konsideroi këtë moment si një “mundësi historike” për adresimin e çështjeve të hapura mes dy vendeve. Në këtë kuadër, Greqia dhe Turqia po rifillojnë zyrtarisht dialogun politik dhe të ashtuquajturën Axhendë Pozitive.

Ministria e Punëve të Jashtme e Greqisë njoftoi se javën e ardhshme do të mbahen në Athinë takime të nivelit të zëvendësministrave të jashtëm të të dy vendeve. Konkretisht:

  • Të martën, më 20 janar, në kuadër të raundit të pestë të procesit të Dialogut Politik, do të zhvillohen bisedime mes Zëvendësministres së Jashtme të Greqisë, ambasadores Alexandra Papadopoulou, dhe Zëvendësministrit të Jashtëm të Turqisë, ambasadorit Mehmet Kemal Bozay.
  • Një ditë më pas, të mërkurën, më 21 janar, do të mbahet raundi i nëntë i bisedimeve të Axhendës Pozitive greko-turke, mes Zëvendësministrit të Jashtëm të Greqisë, Haris Theocharis, dhe homologut të tij turk, ambasadorit Mehmet Kemal Bozay.

Rifillimi i këtyre proceseve diplomatike vjen në një moment kur Athina dhe Ankaraja synojnë të stabilizojnë marrëdhëniet dypalëshe dhe të krijojnë një klimë dialogu mbi çështjet strategjike të pazgjidhura, me fokus të veçantë në rajonin e Egjeut.

Scroll to Top