Greva e minatorëve: Deputetët kritikojnë qeverinë për mosveprim

Të drejtat kushtetuese nuk negociohen, deputetët kritikojnë rolin e qeverisë në grevën e minatorëve

Ministrja Delina Ibrahimaj ka dhënë sqarime të martën para Komisionit Parlamentar për të Drejtat e Njeriut, lidhur me përgjegjësitë e ministrisë për zgjidhjen e kërkesave të minatorëve grevistë të minierës së Spaçit. Ibrahimaj ka paraqitur një qëndrim të kujdesshëm, duke e cilësuar rolin e ministrisë si thjesht ndërmjetësues mes minatorëve dhe kompanisë koncesionare “TETE Albania”. Ajo ka theksuar se ministria nuk ka fuqi ligjore për të ndërmarrë masa konkrete ndaj kompanisë për rastin e 67 minatorëve të pushuar nga puna.

Ministrja ka shprehur shqetësimin për një mundësi gjyqi nga ana e kompanisë në rast ndërhyrjeje për marrjen e masave bazuar vetëm në pretendimet e minatorëve. Ajo gjithashtu ka lënë të kuptohet se greva mund të ketë filluar pa përmbushur kushtin për ndërmjetësim.

“Do të verifikojmë situatën dhe zbatimin e kushteve të punës pasi të mbarojë e gjithë kjo,” ka thënë ajo, duke shtuar se “nga momenti që ne nuk kemi një verifikim institucional të pretendimeve, nuk mund të marrim masa me supozime.” Sipas Ibrahimajt, në të kaluarën ka pasur raste kur marrja e masave pa dokumentacion ka sjellë fitore ligjore për kompanitë dhe kosto shtesë për shtetin.

Ministrja ka paraqitur një panoramë të situatës dhe përpjekjet e dikasterit që ajo drejton për zgjidhjen e konfliktit. Ajo ka theksuar se “nuk ka konstatime konkrete të shkeljeve sindikale nga punëdhënësi në këtë fazë” dhe se “greva nisi pa njoftim paraprak, gjë që kërkon vlerësim të mëtejshëm.”

Duke ruajtur një rol neutral, Ibrahimaj ka përmendur se ministria i ka kërkuar kompanisë koncesionare të kthejë në punë grevistët e pushuar dhe i ka sugjeruar Konfederatës së Sindikatave “kthimin e grevistëve në punë për të mos përkeqësuar situatën sociale të tyre.” Vlen të theksohet se ministrja nuk ka përmendur kërkesat kryesore të minatorëve, të cilat lidhen me të drejtën për të krijuar sindikatën e tyre, kushtet e vështira të punës, mungesën e sigurisë dhe pagat e ulëta.

Kryetarja e komisionit, Jorida Tabaku, ka theksuar se “e drejta e punës dhe e drejta e grevës është e drejtë kushtetuese që duhet të respektohet”, duke e konsideruar pushimin nga puna të minatorëve grevistë si shkelje të Kushtetutës, ligjeve vendase dhe konventave ndërkombëtare, si dhe tej çdo parimi moral e etik.

Deputeti socialist Erjon Braçe e ka trajtuar çështjen si një të drejtë themelore të minatorëve që nuk mund të negociohet. “Kur kompania thotë nuk do të kesh sindikatë se s’dua unë, s’ke çfarë të negociosh. Nuk negociohet Kushtetuta me askënd, pavarësisht statusit që ke,” i është drejtuar ai ministres. Sipas Braçes, minatorëve u është mohuar e drejta kushtetuese për t’u anëtarësuar në sindikatë dhe është pushuar nga puna përgjegjësi i turnit, duke bërë që minatorët të refuzojnë të hyjnë në galeri. Ai ka shtuar se kjo është refuzimi i një marrëveshjeje të korruptuar me pronarin. “E vetmja zgjidhje është që ata të kthehen në punë dhe pastaj negocioni për kontrata kolektive apo pagat, por jo të drejtën kushtetuese,” ka insistuar ai, duke ngritur gjithashtu shqetësimin se minatorët punojnë 26 ditë në muaj, ndryshe nga parashikimet ligjore.

Edhe deputetë të tjerë, si nga opozita ashtu edhe nga mazhoranca, kanë shprehur qëndrime të ngjashme, duke vënë theksin te e drejta e punëtorëve dhe duke i kërkuar ministrisë të ushtrojë përgjegjësitë për zgjidhjen e çështjes në favor të tyre. “Të dyja palët bëhen bashkë dhe kjo është kërkesë institucionale që të riktheni minatorët në punë, më pas bëni hetimet administrative që kanë nevojë të kryhen,” ka kërkuar Tabaku nga ministria.

Greva e minatorëve vazhdon që prej fillimit të tetorit. Një javë më parë, ata janë dëgjuar në Komisionin për të Drejtat e Njeriut, ku kanë paraqitur kërkesat e tyre, duke kërkuar mbështetjen shtetërore dhe akuzuar Inspektoratin e Punës dhe Ministrinë e Ekonomisë për neglizhencë ndaj tyre.

Scroll to Top