Ministrja e jashtme e Groenlandës flet me lot në sy: Jemi nën presion
Ministrja e jashtme e Groenlandës, Vivian Motzfeldt, u shpreh me lot gjatë një interviste të transmetuar drejtpërdrejt, duke përshkruar presionin e ndjerë pas deklaratave kërcënuese të Donald Trump në lidhje me pretendimin e sovranitetit amerikan mbi vendin e saj.
Duke folur në një emision televiziv, Motzfeldt duket se preket deri në lot kur flet për “presionin e madh” që ka përjetuar për shkak të kërcënimeve të presidentit amerikan për të pushtuar territorin e Groenlandës.
“Po punojmë shumë, pavarësisht faktit se nuk jemi shumë,” tha ajo në një intervistë për rrjetin kombëtar KNR, pas disa bisedimesh. “Normalisht nuk do të doja t’i thoja këto fjalë, por do t’i them: Jemi shumë të fortë. Po bëjmë më të mirën tonë. Por në ditët e fundit, sigurisht…” shtoi ajo para se t’i mbusheshin sytë me lot.
“Jam shumë e emocionuar. Jam e mbingarkuar. Ditët e fundit kanë qenë të vështira. Përgatitjet tona dhe presioni në rritje kanë qenë intensive,” arriti të thoshte ajo.
Ministrja e Jashtme theksoi se qeveria e Groenlandës mbetet e fortë dhe premtoi të punojë “në mënyrë që populli i Groenlandës në vendin tonë të ndihet i sigurt dhe të jetojë i sigurt”, duke shtuar: “Ne po përdorim të gjithë forcën tonë për ta arritur këtë ndërsa vazhdojmë punën tonë.”
Motzfeldt u takua me Ministrin e Jashtëm danez Lars Lokke Rasmussen, zv.Presidentin e SHBA-së J.D. Vance dhe Sekretarin e Shtetit Marco Rubio në Shtëpinë e Bardhë. Bisedimet përfunduan me një mosmarrëveshje mbi Groenlandën, që ka ngjallur interesin e Trumpit.
