Kryeministri i Groenlandës: Nuk është koha për pavarësi, SHBA-të kërkojnë ishullin për siguri
Kryeministri i Groenlandës, Jens-Frederik Nielsen, ka bërë të qartë se aktualisht nuk është momenti i duhur për të diskutuar pavarësinë e ishullit dhe për të rrezikuar të drejtën e tij për vetëvendosje.
Deklarata e tij vjen ndërsa presidenti amerikan Donald Trump ka theksuar se Shtetet e Bashkuara kanë një nevojë “jetike” për Groenlandën për arsye të sigurisë kombëtare.
Në një intervistë për shtypin lokal, disa orë para takimit të ministrave të jashtëm danezë dhe groenlandezë me senatorët J.D. Vance dhe Marco Rubio në Shtëpinë e Bardhë, Nielsen u shpreh: “Nuk ka ardhur koha për të folur për pavarësi. Kjo nuk është koha për të luajtur me të drejtën tonë për vetëvendosje, kur një vend tjetër thotë se do të na aneksojë.”
Ai shtoi se Groenlanda mbetet pjesë e komunitetit të Mbretërisë së Danimarkës dhe do të qëndrojë pranë saj, duke theksuar rëndësinë e stabilitetit në këtë situatë serioze.
Kryeministri shprehu shpresën se takimi në Uashington do të rivendosë “një dialog më të qetë dhe më të respektueshëm me Shtetet e Bashkuara”. Ai gjithashtu theksoi se, në një zgjedhje midis Danimarkës dhe SHBA-ve, Groenlanda do të zgjidhte Danimarkën, duke e konsideruar një çështje të ndjeshme dhe strategjike.
Nga ana e tij, Donald Trump nuk e ka përjashtuar mundësinë e marrjes së kontrollit mbi ishullin Arktik, duke theksuar rëndësinë e parimeve të rendit botëror.
“Ne duhet të besojmë se parimet e demokracisë nuk do të shkelen. Nëse fillojmë të luajmë me këto parime, do të kemi probleme jo vetëm në Groenlandë, por në të gjithë botën,” tha Nielsen.
Përballë këtij tensioni, Ministri danez i Mbrojtjes konfirmoi se po forcohet prania ushtarake e Danimarkës në Groenlandë dhe po zhvillohet një dialog i vazhdueshëm me NATO-n për të rritur praninë e aleancës në Arktik.
