Tragjedi në Itali: Gruaja shqiptare gjendet e vdekur në banesën e saj
Një grua 50-vjeçare me origjinë shqiptare nga Maqedonia është gjetur e vdekur në një banesë në provincën e Ankonës, Itali. Dyshohet se ajo është rrahur për vdekje nga bashkëshorti i saj, i cili aktualisht është në kërkim nga autoritetet.
Sipas informacioneve paraprake, autori i dyshuar nuk është paraqitur në punë që prej mëngjesit të sotëm. Viktima quhej Sadjide Muslija dhe gjatë vitit të fundit kishte raportuar disa herë dhunë nga bashkëshorti i saj, Nazif Muslija, gjithashtu 50 vjeç dhe me origjinë nga Maqedonia.
Alarmimi është bërë nga punëdhënësi i gruas, pasi ajo nuk ishte paraqitur në punë. Pas njoftimit, forcat e karabinierisë kanë ndërhyrë në banesën e saj, ku e kanë gjetur të vdekur, të shtrirë në shtrat, me shenja të dukshme dhune.
Burri, i cili aktualisht po kërkohet me akuzën e feminicidit, ishte arrestuar edhe në prill të këtij viti pas një tjetër episodi dhune ndaj gruas. Në atë rast, i shtyrë nga dyshimet për tradhti, ai kishte thyer derën e dhomës së gjumit me sëpatë, ndërsa gruaja ishte detyruar të strehohej te fqinjët.
Sadjide Muslija kishte rrëfyer se prej dy vitesh ishte viktimë e dhunës fizike nga bashkëshorti. Pas vetëm tre muajsh, në korrik, Nazif Muslija pranoi një marrëveshje dënimi dhe, pas lirimit të tij, çifti ishte kthyer të jetonte sërish bashkë.
