Guardiola: Të provojmë gjithçka ndaj Realit! Kush nuk beson te kualifikimi, të rrijë në shtëpi
Trajneri i Manchester City, Pep Guardiola, ka dërguar një mesazh të fortë për lojtarët e tij para përballjes vendimtare me Real Madrid në Champions League. Tekniku spanjoll theksoi se skuadra duhet të besojë te rikthimi, pavarësisht vështirësive dhe rezultatit të ndeshjes së parë.
Ai deklaroi se mungesa e besimit nuk është e pranueshme në një kompeticion kaq të madh:
“Nëse lojtarët nuk besojnë se mund të bëjmë rikthimin ndaj Real Madridit, atëherë është problemi i tyre. Le të qëndrojnë në shtëpi… Ata janë të rritur, kanë paga të mira dhe janë profesionistë. Disa janë të rinj në situata të tilla, nuk është i njëjti grup si vite më parë, por kemi një mundësi të pabesueshme për ta provuar. Nëse nuk besojnë në një rikthim në Champions, atëherë le të shkojnë në shtëpi dhe të qëndrojnë aty”, deklaroi Guardiola.
Ai shtoi se ekipi duhet të provojë gjithçka për të përmbysur rezultatin dhe të luftojë deri në fund për kualifikimin:
“Ne duhet të përpiqemi. Çfarë kemi për të humbur?”, përfundoi trajneri i City-t, duke theksuar se skuadra duhet të hyjë në fushë me mentalitet luftarak për këtë përballje vendimtare.
Duke folur për sfidën ndaj Real Madridit, tekniku katalanas pranoi vështirësinë e madhe, duke theksuar se madrilenët nuk kanë pësuar kurrë një përmbysje nga 3-0 në historinë e tyre në Champions, pavarësisht 15 trofeve në këtë kompeticion. Gjithashtu, Pep pranoi se përballja me Real Madridin në takimin e kthimit të Ligës së Kampioneve është një nga sfidat më të mëdha të karrierës së tij, pas humbjes 3-0 në ndeshjen e parë.
Më mënyrë kurioze, tekniku i City-t anuloi edhe stërvitjen 24 orë para ndeshjes, duke preferuar pushimin për lojtarët, të cilët tashmë do të përpiqen t’ia shpërblejnë në fushën e gjelbërt.
