Hën. Kor 16th, 2018

Guardiola vazhdon “prodhimin” e yjeve të Kupave të Botës

TIRANË, 10 korrik// Spanja u shpall kampione e Botës për herë të parë në vitin 2010 dhe baza e ekipit kombëtar ishte e përbërë nga lojtarë të “Barcelonës” në drejtimin e së cilës ishte Pep Guardiola. Gerard Pique, Carles Puyol, Andres Iniesta, Xavi, Victor Valdes, Sergio Busquets dhe Pedro ishin të gjithë baza për ekipin që doli fitimtar nga Afrika e Jugut, në një kohë kur Guardiola sapo kishte përfunduar sezonin e tij të dytë në krye të “Camp Nou”.

Katër vjet më vonë edhe Guardiola kishte ecur përpara. “Bayern Munchen” ishte klubi i tij i radhës dhe Gjermania u kurorëzua më pas kampione në Brazil 2014. Pa dyshim, ekipi gjerman ishte kryesisht e ndërtuar rreth lojtarëve që punuan me Guardiolan te “Bayern”, me Manuel Neuer, Bastian Schweinsteiger, Thomas Muller, Philipp Lahm, Toni Kroos, Mario Gotze dhe Jerome Boateng, të gjithë çelësi i suksesit në Amerikën e Jugut.

Boshti i dy fituesve të Kupës së Botës kanë qenë të përbërë nga lojtarë të stërvitur nga Guardiola, duke treguar se ndikimi dhe kontributi i tij shkon përtej klubeve të futbollit dhe është mirëpritur nga ata me të cilët ka qenë më afër nëpër sfidat e ndërmarra.

Ishin lojtarët e tij që kishin fjalën vendimtare në finalet e tyre përkatëse, pasi Iniesta shënoi golin fitues në vitin 2010 dhe Gotze e bëri të njëjtën gjë në 2014. Tani, në vitin 2018, historia mund të përsëritet. Ndërsa ka më pak lojtarë të përfaqësueses së Anglisë që punojnë nën urdhrat e katalanasit, ndikimi i të cilit sigurisht që ndihet.

“Guardiola po ndikon shumë në ekipin kombëtar anglez”, – deklaroi Paul Scholes, ish-lojtari i famshëm i përfaqësueses angleze dhe i “Manchester United”.

Kyle Walker, John Stones, Fabian Delph dhe Raheem Sterling të gjithë punojnë me të tek “Manchester City” dhe ndikimi i tij ndihet.

“Vetëm shikoni mënyrën se si luajnë tre mbrojtësit dhe portieri ynë, – shtoi Scholes. – Southgate shkoi për ta parë atë dhe donte të kuptonte se si të luante atë lloj loje futbolli”.

Përfaqësuesja e Anglisë do të vazhdojë të ecë para në këtë Botëror, për një kurorëzim për herë të dytë si fituese e Kupës së Botës pas asaj të 1966-ës, kur të përballen me Kroacinë në gjysmëfinalen e kësaj të mërkure. /marca//r.e/

Botërori 2018 – Agjencia Telegrafike Shqiptare