“Civilët vuajnë pasojat më të mëdha”: Guterres paralajmëron se konflikti në Lindjen e Mesme mund të dalë jashtë kontrollit
Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres, ka lëshuar një paralajmërim të fortë se konflikti në Lindjen e Mesme rrezikon të dalë jashtë kontrollit, duke bërë thirrje urgjente për t’i dhënë fund luftës.
“Të gjitha sulmet në Lindjen e Mesme dhe më gjerë po shkaktojnë vuajtje dhe dëme të jashtëzakonshme për civilët në të gjithë rajonin dhe përbëjnë një rrezik të madh për ekonominë globale, veçanërisht për njerëzit”, theksoi Guterres përmes një reagimi në platformën X.
Ai shtoi: “Situata mund të dalë jashtë kontrollit. Është koha për të ndaluar luftimet dhe për të filluar negociata serioze diplomatike”.
Nga ana tjetër, Presidenti amerikan Donald Trump ka theksuar se nuk do të ketë marrëveshje pa “dorëzimin pa kushte” nga Teherani. Trump ka deklaruar ditët e fundit se kushdo që merr udhëheqjen e Iranit, ajo duhet të jetë me pëlqimin e SHBA-së.
