Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, ka deklaruar se pavarësia e institucionit që ai drejton është cenuar. Gjatë raportimit në Komisionin Parlamentar të Ekonomisë, Sejko theksoi shqetësimin e tij lidhur me këtë çështje.
Ai shpjegoi se gjatë dy viteve të fundit, Banka e Shqipërisë është përballur me presione të vazhdueshme që kanë penguar ushtrimin e funksioneve të saj kushtetuese. Sipas tij, kërkesat për llogari që janë jashtë tagrit të Bankës së Shqipërisë përbëjnë cenim të pavarësisë.
Guvernatori Sejko shprehu se ka ndjerë rëndë këto presione dhe se Banka e Shqipërisë nuk ka qenë e lirë të ushtrojë detyrat e saj plotësisht, duke mos hyrë në detaje mbi natyrën apo origjinën e tyre.