Hajdutët e Luvrit: Vjedhja e Bizhuterive me Vlerë 88 Milionë Euro

VIDEO/ Pamjet e dy hajdutëve të Luvrit teksa arratisen me vinç

Momenti i arratisjes së dy hajdutëve të Muzeut të Luvrit, të cilët u larguan me një vinç, është bërë viral në rrjetet sociale. E përditshmja franceze “Le Parisien” ka publikuar videon, duke konfirmuar autenticitetin e saj.

Dy hajdutët zbritën nga Luvri me ndihmën e një vinçi, pasi kishin vjedhur bizhuteri me vlerë 88 milionë euro. Më pas, ata u larguan me motoçikletë.

Në videon, e cila zgjat rreth tridhjetë sekonda, dy personat shihen duke dalë nga dritarja, nga ku kishin hyrë rreth katër minuta më parë, për të arritur në Galerinë Apollo. Njëri prej tyre mban veshur një jelek fluoreshent, ndërsa tjetri ka vënë një helmetë motoçiklete. Të dy mbartnin rroba të zeza dhe dukeshin të qetë gjatë veprimeve të tyre.

Në video dëgjohet një zë që thotë: “Djemtë janë në skuter”. Më pas, një tjetër zë vazhdon: “Po ikin, po ikin… policia është këtu”. Ky i fundit dyshohet të jetë personi që po filmonte ngjarjen.

Pak sekonda pasi u larguan, ata tentuan t’i vinin flakën vinçit, por pa sukses. Ky detaj është vështirë të dallohet në pamjet e publikuara.

Më vonë, dy hajdutët shfaqen sërish në video duke u larguar me skuter. Videoja mbyllet në këtë pikë.

Pas kësaj ngjarje, drejtori i Luvrit, Laurence de Carre, ka pranuar para Komitetit të Kulturës të Senatit, dobësi në sistemin e mbikëqyrjes së jashtme të muzeut.

“Sistemi i sigurisë në Sallën Apollo funksionoi pa probleme, duke përfshirë të gjitha alarmet,” ka siguruar de Carre. Megjithatë, ai ka pranuar se sistemi i mbikëqyrjes me video jashtë pallatit të madh ishte “shumë i papërshtatshëm”, duke theksuar një “dobësi në mbrojtjen e zonës perimetrike”.

“Ne nuk e zbuluam mbërritjen e grabitësve në kohë,” ka shtuar ai. Ai ka shpjeguar se pavarësisht se kishte disa kamera perimetrike, ato ishin të vjetra dhe numri i tyre ishte i pamjaftueshëm për të mbuluar të gjitha fasadat e Luvrit. Për më tepër, pranë Sallës Apollo, ku ndodhi vjedhja, ekzistonte vetëm një kamerë e cila përballej nga Perëndimi, duke mos mbuluar kështu ballkonin ku u krye vjedhja.

Kriminelët hynë në muze nëpërmjet një vinçi të vendosur në rrugën publike. Ata përdorën një sharrë rrethore për të prerë një derë-dritare xhami, depërtuan tek vitrinat me bizhuteritë dhe brenda pak minutash u zhdukën me tetë thesare kombëtare.

Burimi: Visegrád 24 (@visegrad24) – Pamjet e para të vjedhjes në Luvër tregojnë grabitësit duke u arratisur fillimisht me një vinç, pastaj me skuter nëpër rrugët e Parisit. Bizhuteritë mbretërore me vlerë 88 milionë euro u vodhën nga Galeria Apollo e Luvrit të dielën. Vjedhja zgjati vetëm 7 minuta dhe përfshiu 4 të dyshuar.

Scroll to Top