Hakerimi i kompjuterave të SPAK, ish-drejtori i burgjeve Agim Ismaili në gjykatë
Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ka përfunduar hetimet dhe ka dërguar për gjykim pranë Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë procedimin penal për rastin e hakerimit të sistemeve të saj informatike.
Të pandehur në këtë çështje janë tre shtetas:
- Agim Ismaili, ish-drejtor i Burgjeve
- Arnold Rrokaj
- Zambak Gjoni
Agim Ismaili po hetohet në gjendje të lirë, ndërsa Arnold Rrokaj dhe Zambak Gjoni janë në masën e sigurisë “arrest me burg”.
Arnold Rrokaj akuzohet për veprat penale “Hyrje e paautorizuar kompjuterike” dhe “Përgjim i paligjshëm i të dhënave kompjuterike”, të kryera si pjesë e një grupi të strukturuar kriminal. Sipas SPAK, ai ka aksesuar në mënyrë të paligjshme materiale hetimore të Prokurorisë së Posaçme, duke shpërndarë një pjesë të tyre te bashkëpunëtorët.
Zambak Gjoni akuzohet për “Përgjim të paligjshëm të të dhënave kompjuterike”, gjithashtu në kuadër të grupit të strukturuar kriminal, si dhe për kryerjen e veprave penale nga organizata kriminale.
Edhe Agim Ismaili, i cili po hetohet në gjendje të lirë, akuzohet për të njëjtat vepra penale.
“I pandehuri Arnold Rrokaj ka aksesuar në mënyrë të paautorizuar materiale hetimore të Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar. Një pjesë e këtyre materialeve u dërguan në mënyrë të paligjshme te të pandehurit Zambak Gjoni dhe Agim Ismaili, të cilët i shpërndanë ato më pas tek persona të tretë,” sqaron SPAK.
Shtetasit Zambak Gjoni dhe Arnold Rrokaj u identifikuan dhe arrestuan shpejt (brenda 24 orësh), duke parandaluar kështu shpërndarjen e mëtejshme të materialeve hetimore.
Pas veprimeve të shumta hetimore dhe analizimit të tyre, akuzat u zgjeruan edhe për veprën penale të përgjimit të paligjshëm të të dhënave kompjuterike në ngarkim të Agim Ismailit. Ky i fundit, pasi u njoh me përmbajtjen e këtyre të dhënave, jo vetëm i shpërndau ato më tej, por edhe kërkoi në mënyrë të vetëdijshme thellimin e përgjimit të paligjshëm të sistemeve të Prokurorisë së Posaçme, duke kërkuar gjetjen e të dhënave për persona të ndryshëm.
