Pre. Sht 21st, 2018

Halili: Serbët dhe shqiptarët, drejtimin e gjejmë duke diskutuar me qetësi

TIRANË, 11 korrik /ATSH/ Pjesëmarrës në panelin e konferencës ndërkombëtare të zhvilluar në Beograd, me temë “Serbët dhe shqiptarët – Në cilin drejtim?”, Rigers Halili foli për përplasjet kryesore midis shqiptarëve dhe serbëve dhe nëse mund të ketë një rrugë tjetër të ndryshme nga kjo.

Pikë së pari, ai kërkoi të përcaktonte se cili është drejtimi.  “Dy gjëra i bëjnë serbët dhe shqiptarët shumë të ngjashëm me njëri-tjetrin, përveç faktit të mënyrës që po përpiqen të bëjnë modernizimin e kombeve që është një proces shumë i ngjashëm: e para është vetë-viktimizmi dhe e dyta është demonizimi i të tjerëve. Kjo është ajo që kam mësuar nga kërkimet e mia. Vetë-viktimizimi ka të bëjë me faktin se ne jemi vetëm viktima dhe pala tjetër është vetëm agresori e njëjta vlen edhe për demonizimin e tjetrit. Gjërat janë shumë më të komplikuara nga se duket në pamje të parë”, theksoi ai duke shtruar pyetjen: a e njohim njëri-tjetrin?

“Ne mendojmë se e njohim njëri-tjetrin, por nuk është kështu. Ne dimë se çfarë thotë ‘mbreti’ ynë për anën tjetër, por rrallë herë shohim në anën tjetër. Një faktor që tregon sa pak e njohim njëri-tjetrin është problemi me dijetarët që nuk flasin edhe shqip edhe serbisht, historianë që analizojnë vetëm dokumentet serbe pa i analizuar ato shqiptare dhe e njëjta vlen për palën shqiptare, për të parë se cilat janë dallimet dhe të përbashkëtat”, theksoi studiuesi.

Sigurisht, tha ai, që politikanët luajnë një rol të rëndësishëm, por “personalisht ajo që duhet të përpiqemi të ndryshojmë është perceptimi që kanë intelektualët, mendimtarët, që në shumë mënyra janë po aq përgjegjës për të mirat apo të këqijat që u ndodhin personave sa politikanët, sepse ata krijojnë njohuritë. Sigurisht që është media, por gjithashtu edhe mendimtarët që krijojnë njohuri afatgjatë”, theksoi ai.

“Pra, nëse e vazhdojmë nevojën për të ndryshuar, ne e duam atë, ndoshta hapi i parë do të ishte t’i riktheheshim një iniciative të vjetër që Glisha Elezoviç realizoi këtu në Beograd 1923. Bëhej fjalë për gazetën e parë shqiptare që i dedikohej çështjeve shqiptare, ishte gazeta e parë shqiptare që botohej jashtë vendeve ku flitej shqip. Ndoshta ideja do të ishte të rikthehemi në këtë bashkëpunim, në këtë forum të mendimtarëve për të diskutuar gjërat me qetësi dhe që në fund të gjejmë drejtimin”, nënvizoi Halili.  /g.s/j.p/

Aktualitet – Agjencia Telegrafike Shqiptare

Kategori