Hamasi kthen eshtrat e pengut izraelit nga Gaza
Hamasi i ka kthyer Izraelit eshtrat e një pengu tjetër, ndërsa buldozerët janë vendosur në kërkim të trupave të tjerë nën rrënojat e Gazës. Zyra e kryeministrit izraelit konfirmoi se një arkivol ishte pranuar nga Komiteti Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq brenda territorit. Autoritetet izraelite thanë se familja e të ndjerit do të njoftohet pas një procesi zyrtar identifikimi.
Krahu ushtarak i Hamasit, i njohur si Brigadat Qassam, tha se mbetjet ishin ato të një “të burgosuri pushtues” – duke sugjeruar se ato i përkisnin një izraeliti. Imazhet nga territori të premten tregojnë përpjekjet në Khan Younis për të gjetur disa nga mbetjet, me makineri të rënda që gërmojnë llogore të mëdha.
Këtë javë, Hamasi ka dorëzuar eshtrat e nëntë pengjeve, së bashku me një të dhjetën që Izraeli tha se nuk ishte e një pengu. Izraeli ka akuzuar Hamasin për shkelje të kushteve të marrëveshjes së armëpushimit, të ndërmjetësuar nga Donald Trump, duke mos i kthyer të gjitha trupat e pengjeve të vdekura.
Hamasi është përgjigjur duke thënë se është i përkushtuar ndaj kushteve të marrëveshjes, por ka vështirësi në gjetjen e mbetjeve mortore sepse shumë prej tyre janë varrosur nën rrënojat e lëna nga dy vjet bombardimesh izraelite në Gaza. Grupi gjithashtu ka fajësuar Izraelin për vonesat, duke thënë se nuk kishte lejuar asnjë buldozer të ri në Gaza.