Hannibal Gaddafi lirohet pas 10 vitesh burg në Liban

Djali i Muammar Gaddafit lirohet pas dhjetë vitesh burg; shuma e konsiderueshme e kërkuar si garanci

Hannibal Gaddafi, djali më i vogël i ish-udhëheqësit libian Muammar Gaddafi, është liruar sot, më 10 nëntor, pas një dekade paraburgimi pa gjyq në Liban. Lajmin e konfirmoi Agjencia Kombëtare e Lajmeve Libaneze (NNA).

Hannibal Gaddafi mbahej në paraburgim që nga viti 2015, i akuzuar për fshehjen e informacionit lidhur me zhdukjen misterioze të klerikut shiit libanez Moussa al-Sadr gjatë një vizite në Libi në vitin 1978. Në kohën e zhdukjes, Hannibal ishte vetëm 2 vjeç, çka ka bërë që shumë organizata ndërkombëtare për të drejtat e njeriut ta cilësojnë çështjen si absurde dhe politike.

Sipas NNA-së, lirimi i tij erdhi pasi avokatët paguan një garanci prej 900 mijë dollarësh, ndërsa gjykata hoqi gjithashtu ndalimin e udhëtimit për të. Fillimisht, lirimi ishte vendosur me një kusht prej 11 milionë dollarësh, por shuma u ul pas apelimit të mbrojtjes. “Gaddafi u lirua pasi avokatët e tij paguan garancinë,” njoftoi agjencia shtetërore libaneze.

Hannibal Gaddafi u rrëmbye në Siri në vitin 2015 teksa jetonte atje me gruan dhe fëmijët e tij. Më pas, ai u dërgua në Liban, ku u shpëtua nga rrëmbyesit, por menjëherë u arrestua nga autoritetet libaneze dhe që atëherë nuk ishte gjykuar kurrë. Në vitin 2023, ai ndërmori një grevë urie për të protestuar kundër paraburgimit të tij të zgjatur, duke përkeqësuar gjendjen shëndetësore dhe duke shtuar presionin ndërkombëtar për lirimin e tij.

Pas lirimit, Qeveria e Unitetit Kombëtar të Libisë, me seli në Tripoli dhe e udhëhequr nga Abdelhamid al-Dbeiba, falënderoi autoritetet libaneze për “qëndrimin e drejtë dhe human”. “Përshëndesim qëllimet e sinqerta të udhëheqjes libaneze për të rivendosur marrëdhëniet diplomatike dhe për të forcuar bashkëpunimin politik, ekonomik dhe të sigurisë mes dy vendeve,” tha qeveria në një deklaratë.

Scroll to Top