Bota në alarm për shpërthimin e hantavirusit, OBSH: Kjo nuk është pandemi e ngjashme me Covid
Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) ka tentuar të qetësojë shqetësimet globale pas rasteve të raportuara me hantavirus në bordin e anijes turistike MV Hondius. OBSH ka deklaruar se situata nuk përbën rrezik për një pandemi të ngjashme me Covid-19.
Sipas OBSH-së, hantaviruset transmetohen “shumë, shumë ndryshe” nga koronavirusi dhe zakonisht kërkojnë kontakt të zgjatur me burimin e infeksionit. Për këtë arsye, organizata vlerëson se rreziku për shëndetin publik mbetet i ulët.
Deri më tani janë konfirmuar pesë nga tetë rastet e dyshuara, ndërsa të gjithë personat e prekur kanë qenë në bordin e anijes. Autoritetet shëndetësore paralajmërojnë se mund të zbulohen edhe raste të tjera, pasi periudha e inkubacionit të sëmundjes mund të zgjasë deri në gjashtë javë.
OBSH-ja thekson se niveli i rrezikut mbetet i ulët edhe për Ishujt Kanarie, destinacioni drejt të cilit po lundron aktualisht anija. Hetimet për shpërthimin janë ende në vazhdim.
Sipas të dhënave paraprake, çifti që dyshohet se u infektua i pari kishte vizituar zona ku ishte e pranishme një specie miu e njohur si bartëse e hantavirusit. Autoritetet po vijojnë gjurmimin e kontakteve dhe analizimin e rrethanave të infektimit.
