Hën. Gus 20th, 2018

HAPËSIRË – Elon Musk kundërshton NASA-n, Marsi mund të transformohet!

UASHINGTON, 7 gusht /ATSH/ – Pas një studimi të publikuar disa ditë më parë nga NASA në lidhje me transformimin e Marsit në një planet ku mund të jetohet, i realizuar me objektivin për t’iu përgjigjur përfundimisht një mundësie të tillë, ku vërtetohej se ishte e pamundur që të krijohej një atmosferë e ngjashme si ajo e Tokës, nuk ka vonuar përgjigja e manjatit të teknologjisë, Elon Musk, shkruan faqja në internet që i dedikohet teknologjise “hdblog.it”.

Në fakt NASA nuk e përjashton krejtësisht një hipotezë të tillë, por ky studim shfaq dy probleme kryesore që e bëjnë të pamundur realizimin e këtij projekti në ditët e sotme. Së pari, në Marsi ka një nivel të ulët të dioksidit të karbonit (CO2), i cili ndihmon në krijimin e atmosferës. Së dyti teknologjia në dispozicion e bën gati të pamundur rekuperimin e CO2-it të pranishëm në Mars.

Lajmi i këtij studimi u përhap aq shumë sa që ka tërhequr vëmendjen e Elon Musk, që synon të realizojnë këtë projekt ambicioz dhe që nuk është aspak dakord me këtë raport të NASA-s.

Në fakt Musk, pretendon se niveli i CO2-it që përshkruhet në këtë raport është i gabuar. Por, Musk, përgjigjen e tij nuk e mbështet me asnjë të dhënë dhe na mbetet vetëm t’i besojmë fjalës së tij. Meqënëse bëhet fjalë për një argumet që mbështet në baza të fuqishme shkencore, kjo përgjigje e miliarderit amerikan nuk është e mjaftueshme.

Elon Musk është një prej mbështetësve më të fuqishëm të mundësisë se brenda pak vitesh mund të dërgojmë një ekuipazh me njerëz për të kolonizuar Marsin.

Ndonëse sot është jashtëzakonisht e vështirë që të dërgohet vetëm një ekuipazh në Mars, Musk duket i bindur se transformimi i planetit është shumë më i mundshëm dhe afër nga se mendon NASA.

Kush ka të drejtë, një ekip shkencëtarësh shumë të kualifikuar apo miliarderi vizionar? /G.S/

Kategori