Pre. Dhj 14th, 2018

Hapet gara për kandidatë në KLSH

Presidenca ka njoftuar paraditen e së premtes hapjen e procesit për kandidatë për kryetar të Kontrollit të Lartë të Shtetit (KLSH), duke qenë se mandati 7-vjeçar i qëndrimit në detyrë i z. Bujar Leskaj si Kryetar i KLSH-së përfundon më 22 dhjetor 2018.

Aplikimet do të bëhen nga data 12 tetor deri në 30 tetor.

Në njoftimin e Presidencës lexohet: “Presidenti i Republikës, në mbështetje të nenit 162 pika 2 të Kushtetutës, si dhe të neneve 19 pika 2, 20, 21, 23 pika 1/a, të ligjit nr. 154/2014 “Për organizimin dhe funksionimin e Kontrollit të Lartë të Shtetit”, duke qenë se mandati 7-vjeçar i qëndrimit në detyrë i z. Bujar Leskaj si Kryetar i Kontrollit të Lartë Shtetit, përfundon më datë 22 dhjetor 2018, si dhe me vullnetin për realizimin e një procesi sa më objektiv e transparent për përzgjedhjen e një kandidature me integritet të lartë moral dhe profesional të përshtatshme për këtë pozicion Kushtetues, ka vendosur hapjen e procesit për çdo të interesuar, për të shprehur interesin për të qenë kandidat për pozicionin kushtetues të Kryetarit të Kontrollit të Lartë të Shtetit që do të zgjidhet nga Kuvendi i Shqipërisë me propozim të Presidentit të Republikës”.

InfoPasqyra/tch

Kategori