“`html
HEC-et koncesionare prodhojnë vetëm 20% të energjisë së projektuar në kontrata
Qindra hidrocentrale (HEC) të ndërtuara në të gjithë vendin, në kuadër të 186 kontratave koncesionare të lidhura që nga viti 2013, kanë arritur të prodhojnë vetëm rreth 20% të energjisë së parashikuar në momentin e nënshkrimit të këtyre kontratave.
Të dhënat, të cilat janë përllogaritur nga Ministria e Financave, i referohen vetëm HEC-eve që janë aktualisht në funksion dhe raportojnë prodhim energjie. Sipas raportit më të fundit përmbledhës për kontratat koncesionare, prodhimi mesatar total për periudhën 2013–2024 rezulton të jetë 9,374,155,094 kWh në vit, që përfaqëson vetëm 20% të sasisë së kërkuar sipas parashikimeve kontraktuale.
Vetëm gjatë vitit 2024, prodhimi arriti në 2,464,766,525 kWh, duke përfaqësuar rreth 26% të objektivit të vendosur.
Megjithëse këto hidrocentrale kanë kontribuar në rritjen e sigurisë së furnizimit me energji në vend, performanca e tyre financiare dhe teknike mbetet problematike. Sipas Ministrisë së Financave, HEC-et koncesionare rezultojnë biznese me rrezik të lartë operacional, pasi nuk kanë arritur të përmbushin rreth 60% të kritereve të prodhimit të përcaktuara në kontrata.
Arsyet kryesore të performancës së dobët lidhen me:
- Mungesën e burimeve hidrike të qëndrueshme.
- Ndryshimet klimatike dhe vitet e thata.
- Vlerësimet jo realiste të prurjeve ujore në fazën e projektimit.
Gjithashtu, shumë nga objektet u përballën me probleme teknike dhe financiare gjatë ndërtimit dhe operimit. Në disa raste, kapacitetet e instaluara kanë rezultuar më të larta se potenciali real i lumenjve.
Gjatë viteve 2005–2013, në kuadër të procesit të privatizimit të sektorit energjetik, një numër hidrocentralesh të vegjël u privatizuan, ndërsa të tjerë iu dhanë kompanive vendase dhe të huaja përmes kontratave koncesionare të tipit ROT, BOT dhe BOO.
Ministria e Financave raporton rreth 186 kontrata aktive që prodhojnë energji, por numri real i HEC-eve në terren është më i lartë, pasi një kontratë përfshin shpesh më shumë se një objekt. Qëllimi i këtyre kontratave ishte rehabilitimi i hidrocentraleve ekzistuese, operimi i tyre nga privati dhe më pas transferimi tek shteti.
Ndër kontratat më të mëdha koncesionare të miratuara janë “Hidrocentrali i Ashtës” dhe “Kaskada e hidrocentralit të Devollit”, të cilat përfaqësojnë edhe investimet më të mëdha në sektor.
Rezultatet e deritanishme tregojnë se pritshmëritë fillestare për rritjen e prodhimit të energjisë përmes HEC-eve koncesionare kanë qenë dukshëm më optimiste se realiteti në terren, teksa kostoja e tyre në mjedis dhe në bujqësi ka qenë e lartë. Ndërtimi i objekteve ka hasur në protesta të forta nga komunitetet, pasi HEC-et kanë tharë lumenjtë dhe kanë ezauruar ujin si burimin kryesor të jetesës. Dëmet në habitate në zonat ku janë ndërtuar janë të pallogaritshme, duke përfshirë edhe parqet kombëtare.
“`
