Hekurudha Tiranë-Durrës: Investim 4.1 milionë euro për stacionin e ri

Hekurudha Durrës-Tiranë: 4 milionë euro për sjelljen e stacionit në kryeqytet

Projekti për hekurudhën Tiranë-Durrës dhe shtesa në Rinas pritet të vazhdojë edhe gjatë vitit të ardhshëm. Plani përfshin ndërhyrje në stacionin e 11-të, i cili aktualisht është lënë jashtë projektit. Ky veprim synon sjelljen e stacionit në kryeqytet, duke e zhvendosur atë nga Terminali, që ishte stacioni final sipas variantit fillestar.

Referuar projekteve që do të financohen nga projektbuxheti i vitit të ardhshëm, qeveria ka parashikuar 400 milionë lekë, ose rreth 4.1 milionë euro, për “Zbatimin e projektit të linjës hekurudhore terminali i transportit publik – stacioni i trenit Tiranë (4km), si zgjatim i linjës hekurudhore Durrës – Tiranë”.

Një tjetër projekt që do të financohet me buxhetin e vitit të ardhshëm është blerja e njësive elektrike (EMU) për Linjën Hekurudhore Durrës – Tiranë – Rinas, me një fond prej 350 milionë lekë, ose rreth 3.6 milionë euro.

Qeveria ka hapur një tender për elektrifikimin e linjës në fjalë dhe planifikon të sigurojë trenat e nevojshëm para vënies në funksion të hekurudhës. Më herët, Hekurudha Shqiptare pati njoftuar për një “market teaser” për të tërhequr vëmendjen e palëve të interesuara për ofrimin e këtyre njësive. Mund të jetë bëhet fjalë për njësi të përdorura. Në të njëjtën kohë, është deklaruar se operimi i trenave të pasagjerëve do të funksionojë me një model potencial koncesioni, pra, do të menaxhohet nga një operator privat me eksperiencë në këtë fushë.

Sipas disa deklaratave të përfaqësuesve të qeverisë dhe drejtuesve të Hekurudhës, nisja e plotë e operimit pritet të bëhet vetëm në fillim të vitit 2027.

Ky projekt fillimisht u financua me një kredi prej rreth 70 milionë euro nga BERZH. Vetëm në fillim të këtij viti, qeveria kërkoi një shtesë prej 40 milionë eurosh për këtë kredi, për të mbyllur punimet. Argumenti kryesor për këtë shtesë ishte rritja e kostos së materialeve të ndërtimit. Një pjesë e kësaj shtese do të dedikohet për ndërtimin e stacioneve.

Hekurudha Tiranë-Durrës dhe shtesa në Rinas kanë një gjatësi prej 39 kilometrash. Trenat në këtë hekurudhë do të jenë elektrike dhe do të përshkojnë distancën për 22 minuta. Në total, përgjatë gjithë linjës do të ketë 11 stacione.

Scroll to Top