**Hekurudha Tiranë-Durrës dhe zgjatimi në Rinas: OSSH zhvendos linjat e energjisë pranë shinave**
Operatori i Sistemit të Shpërndarjes (OSSH), pjesë e OSHEE Group, do të kryejë zhvendosjen e disa linjave të energjisë elektrike që ndodhen pranë trasesë së hekurudhës Tiranë-Durrës dhe zgjatimit të saj drejt Rinasit. Ky veprim vjen pas një kërkese të Hekurudhave Shqiptare të bërë vitin e kaluar, si dhe një shkrese nga Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë. Këto kërkesa janë pjesë e projektit “Rehabilitimi i Linjës Hekurudhore Durrës-PTT Tiranë dhe lidhja me Aeroportin Ndërkombëtar të Tiranës (TIA)”.
Zhvendosja dhe eliminimi i linjave ajrore të tensionit përfshin ndërtimin e një rrjeti të ri me linja kabllore. Në segmente të caktuara, këto linja do të kryqëzohen nën shinat e trenit, duke u instaluar brenda tubave plastikë dhe me puseta sigurie në të dy anët. Për të respektuar distancat e sigurisë, është vlerësuar e nevojshme zhvendosja e disa linjave ajrore përgjatë trasesë së hekurudhës.
Sipas dokumenteve zyrtare të OSSH, ky zhvendosje përfshin:
* Rrjet TM ajror 6kV, 20 kV dhe 35 kV (me aksesorët përkatës).
* Rrjet TM kabllor 6kV dhe 20 kV.
* Rrjet TU ajror me kabëll ABC (me aksesorët përkatës).
* Rrjet TU kabllor me kabëll PVC (me aksesorët përkatës).
* Rrjet TU me kabëll ABC.
Relacioni teknik i projektit sqaron se, bazuar në informacionet e marra nga Hekurudha Shqiptare sh.a., traseja e hekurudhës shtrihet përgjatë ish-shinave të vjetër, të cilët do të rehabilitohen. Kjo trase kalon nëpër disa segmente rrugore, konkretisht në zonat Tiranë-Domje, Domje-Rinas, Domje-Vorë dhe Vorë-Durrës, duke përfshirë njësitë administrative Bashkia Tiranë, Bashkia Vorë dhe Bashkia Durrës.
Punimet për hekurudhën Tiranë-Durrës dhe zgjatimin në Rinas kanë filluar në vitin 2021, por janë shoqëruar me vonesa, duke shtyrë disa herë afatin e përfundimit dhe hyrjes në operim. Sipas deklaratave më të fundit zyrtare, operimi i plotë i saj pritet të fillojë në fillim të vitit 2027. Ky projekt fillimisht u financua me një kredi rreth 70 milionë euro nga BERZH, ndërsa më vonë qeveria kërkoi një shtesë prej 40 milionë eurosh për të finalizuar punimet. Argumenti kryesor për këtë shtesë ka qenë rritja e kostos së materialeve të ndërtimit, e cila ka ndikuar ndjeshëm në buxhetin e projektit. Një pjesë e kësaj shtese do të dedikohet për ndërtimin e stacioneve.
Hekurudha Tiranë-Durrës dhe shtesa drejt Rinasit kanë një gjatësi totale prej 39 kilometrash. Trenat në këtë linjë do të jenë elektrikë dhe do të përshkojnë distancën në rreth 22 minuta. Në total, përgjatë gjithë linjës do të funksionojnë 11 stacione.
