“`html
Nerva dhe besimi në Mynih, Hënes bindet për kualifikimin e Bajernit
Përpara ndeshjes së kthimit kundër PSG, Uli Hënes shpreh optimizëm për “momentumin” që ka Bajerni dhe mbështetjen e tifozëve.
90 minutat spektakolare në Paris u zhvilluan pa praninë e Hënes. Presidenti i nderit preferoi ta ndiqte gjysmëfinalen me më shumë gola në historinë e Ligës së Kampionëve nga shtëpia e tij. Ai sqaroi se kjo nuk kishte lidhje me bestytni, por më tepër me një dëshirë për të mos sjellë fat të keq. “Në fakt doja të fluturoja drejt Parisit, por unë dhe Rumenige nuk kemi qenë në asnjë ndeshje jashtë fushe deri tani. Dhe djemtë tanë thanë: ‘Nëse vjen tani me ne dhe humbasim keq, nuk është mirë.’ Natyrisht, nuk doja të isha ters,” tha ai.
Hënes njoftoi se nëse Bajerni siguron finalen të mërkurën, “atëherë do të udhëtoj drejt Budapestit.”
Ai përshkroi skena të ngjashme me ato në Paris edhe në shtëpinë e tij gjatë ndeshjes së parë: “Po të kishit parë mua dhe gruan time në sallon, ishte po aq kaotike sa në fushë.” Kur arbitri fishkëlleu fundin e ndeshjes, Hënes pranoi se ishte “shumë nervoz.”
“Djemtë tanë janë kthyer shumë herë më parë. Dhe nëse loja do të kishte vazhduar edhe 10 minuta, duke parë ngërçet te parizienët, do të kishim bërë edhe më shumë. Kjo më bën optimist,” shtoi ai.
Hënes u impresionua nga mënyra e lojës së Bajernit kundër kampionëve në fuqi. “Duhet ta admirosh Kompani që e bëri skuadrën të luante kaq ofensivisht në Paris, ishte e pabesueshme.” Ai e konsideroi penalltinë e dhënë pak para pushimit si pikë kthese: “Gjithçka e tillë është brutale, ti futesh në dhomat e zhveshjes me një ndjesi negative, ndërsa kundërshtari rikthehet i motivuar.”
Marrëdhënia mes Bajernit dhe PSG ka pësuar ndryshime. Paralelet mes punës së Kompani dhe trajnerit të PSG, Luis Enrike, ishin të dukshme në Paris, dhe klubet janë afruar edhe në nivel drejtues. Kjo marrëdhënie e mirë mund të ndihmojë për një transferim të dëshiruar. Hënes ka një favorit të qartë: “Ashraf Hakimi, do ta merrnim menjëherë sepse do të përshtatej shumë mirë me ne.” Mbrojtësi maroken u dallua në ndeshjen e parë, duke dominuar krahun e djathtë deri në momentin kur u dëmtua dhe do të mungojë në ndeshjen e kthimit.
“Për herë të parë, ndiej që publiku ynë është një ndihmë e madhe,” tha Hënes, duke nënvizuar se çfarë do të jetë vendimtare: “E rëndësishme është të mos nxitohemi. Natyrisht, duam të shënojmë golin e parë.” Ai shtoi se interesant do të jetë edhe qasja e PSG, “nëse do të sulmojnë që në fillim apo do të na lënë ne të luajmë.”
“`
