Policia bastis linjën ajrore portugeze TAP në kuadër të një hetimi për korrupsion
Policia portugeze ka kontrolluar selinë e transportuesit kombëtar TAP, si dhe zyrat e kompanive të tjera, në kuadër të një hetimi mbi dyshimet për korrupsion të lidhur me një marrëveshje komplekse qiraje avionësh të vitit 2015. Ky hetim vjen si rrjedhojë i një hetimi më të hershëm, të nisur në vitin 2023, i cili synon të sqarojë marrëveshjen e TAP për qiranë e 53 avionëve Airbus. Kjo marrëveshje u finalizua menjëherë pas privatizimit të parë të linjës ajrore, kur ajo ra nën kontrollin e një sipërmarrjeje të përbashkët mes sipërmarrësit amerikano-brazilian David Neeleman dhe Grupit Portugez Barraqueiro, pronë e Humberto Pedrosa. Si zoti Neeleman, ashtu edhe zoti Pedrosa, kanë mohuar çdo lloj shkeljeje.
Më vonë, TAP u kthye në pronësi të plotë të shtetit dhe është aktualisht në proces të një privatizimi të ri. Ministria e Infrastrukturës deklaroi se procedurat ligjore duhet të konsiderohen “normale”, duke premtuar bashkëpunim të plotë me autoritetet gjyqësore. Ministria gjithashtu theksoi se nuk pritet ndonjë ndikim në procesin e privatizimit para afatit të 22 nëntorit, kur ofertuesit potencialë duhet të shprehin interesin e tyre.
Zyra e prokurorit shprehu dyshime se kontrata e qirasë mund të ketë qenë pjesë e një skeme të paligjshme, ku Airbus ndihmoi në financimin e blerjes së TAP në vitin 2015, duke shkaktuar humbje për linjën ajrore. Prokuroria deklaroi se veprimet në fjalë “me gjasë përbëjnë krime të administrimit të dëmshëm, korrupsionit pasiv në sektorin privat, mashtrimit të rënduar tatimor dhe mashtrimit të rënduar të Sigurimeve Shoqërore”.
Një zëdhënës i Airbus u shpreh se kompania “nuk komenton për situatat që përfshijnë kompanitë kliente të saj”. Marrëveshjet e mëparshme të biznesit të Airbus kanë qenë nën shqyrtim në disa hetime, duke rezultuar në një zgjidhje rekord prej 4 miliardë dollarësh për korrupsion me autoritetet franceze, britanike dhe amerikane në vitin 2020, si dhe një zgjidhje të ngjashme franceze prej 14 milionë dollarësh në vitin 2022. Airbus pretendon se ka zbatuar ndryshime thelbësore, duke përfshirë një sistem të ri për pajtueshmëri ligjore.
Një zëdhënës i TAP deklaroi se linja ajrore “nuk komenton mbi procedurat ligjore dhe bashkëpunon plotësisht me autoritetet në të gjitha hetimet”. Prokurorët njoftuan se kërkimet po zhvilloheshin në 25 lokacione, duke përfshirë kompani, firma ligjore dhe firma auditimi.
Grupi Barraqueiro konfirmoi se zyrat e tyre janë kontrolluar, por mbetet i bindur se nuk kanë kryer asnjë shkelje ligjore në procesin e privatizimit të TAP. Ata pohuan se po bashkëpunojnë dhe “nuk kanë arsye për shqetësim lidhur me hetimet në vazhdim”.
