Prokuroria e Elbasanit po heton shembjen e aksit rrugor Librazhd–Prrenjas
Prokuroria e Elbasanit ka nisur hetimet për shembjen e segmentit rrugor Librazhd–Prrenjas, ngjarje e cila për disa ditë bllokoi juglindjen e vendit dhe shkaktoi kaos në qarkullimin e automjeteve.
Në kuadër të hetimit, organi i akuzës i ka kërkuar Autoritetit Rrugor Shqiptar (ARRSH) të dorëzojë të gjitha procedurat e prokurimit që lidhen me mirëmbajtjen e këtij aksi rrugor. Sipas burimeve pranë grupit hetimor, dokumentacioni, për shkak të volumit të madh, pritet të dorëzohet brenda një jave.
“Po hetojmë pjesën që lidhet me aksin ekzistues, konkretisht tenderin e mirëmbajtjes së rrugës. Po verifikojmë mënyrën se si është zhvilluar procedura e tenderit dhe termat e kontratës së lidhur mes Autoritetit Rrugor Shqiptar dhe kompanisë fituese”, ka bërë me dije një burim nga hetimi për News 24.
Hetimet janë fokusuar gjithashtu edhe te ndërtimi i rrugëve provizore, të cilat përdoren përkohësisht gjatë punimeve për ndërtimin e aksit të ri. Një tjetër pikë e verifikimeve lidhet me lejen për marrjen e inerteve në lumin Shkumbin dhe zbatimin e saj në terren, pasi është konstatuar shfrytëzim masiv i lumit në disa zona.
Sipas të dhënave të publikuara nga Open Data, tenderi për mirëmbajtjen e rrugës është fituar nga kompania “InfraKonsult”, në pronësi të Redi Strugës. Nga verifikimet paraprake dyshohet se kompania nuk ka përmbushur detyrimet kontraktore, çka mund të ketë ndikuar në shembjen e aksit rrugor.
Në lidhje me këtë çështje, Prokuroria e Elbasanit po heton për disa vepra penale, mes të cilave “Shpërdorim i detyrës”, “Shkelje e barazisë në tendera apo ankande publike”, “Shkatërrimi i rrugës” si dhe “Ndotja e ajrit, ujit apo tokës”.
Ndërkohë, situata në segmentin rrugor është normalizuar dhe qarkullimi i automjeteve ka rifilluar, por problematika mbetet ende evidente. Për disa ditë me radhë, automjetet nuk kanë mundur të qarkullonin në këtë aks për shkak të rrëshqitjes së tokës dhe fundosjes së një ure në zonë.
