Hetim Unaza e Madhe: Balluku rrezikon akuzë, SPAK disponon prova

Unaza e Madhe nën hetim të plotë: Balluku rrezikon akuzë edhe për lote të tjera

Pozitat e Belinda Ballukut, aktualisht e pezulluar nga detyra, pritet të rëndohen më tej. Mësohet se nën hetim nuk është vetëm loti 4 i Unazës së Madhe, por edhe 6 lote të tjera, duke sjellë verifikimin e të gjithë Unazës. Ky projekt përbën një nga investimet më të mëdha publike në vend, me 28.7 kilometra rrugë dhe një vlerë rreth 450 milionë euro.

SPAK disponon një sasi të konsiderueshme dokumentesh, komunikimesh dhe korrespondencash zyrtare nga vitet 2021–2023, të cilat përbëjnë atë që brenda institucioneve quhet “dosja e madhe” e tenderëve të infrastrukturës. Nga ky verifikim pritet të ketë edhe persona të tjerë të pandehur.

Nga dosja hetimore për Belinda Ballukun, janë bërë publike biseda të saj me vartësit, kryesisht ish-Kreun e ARRSH, Evis Berberi, i cili aktualisht ndodhet në burg. Mesazhet tregojnë se më 12 gusht 2021, punonjësit e ARRSH-së punonin deri pas mesnate për publikimin e tenderëve, ndërsa Belinda Balluku jepte urdhrat për fituesin e tyre.

Sipas hetimit, më 1 tetor 2021, dy zyrtarët kanë shkëmbyer mesazhe të vazhdueshme lidhur me “Unazën e Madhe” të Tiranës. Balluku i kërkonte Berberit “të jetë gati për njoftimin”, ndërsa biseda vijonte mbi publikimin dhe koordinimin e veprimeve për procedurën. Në një moment, Balluku i shkruante: “Asnjë ndryshim… Thjesht të bëj këngën, por jam në Kukës”. Më vonë, komunikimi për afatet e veprimeve dhe shtyrjen e njoftimeve për të mërkurën. Ndërsa më 5 tetor 2021, Berberi e njofton Ballukun se një emision investigativ ka kërkuar informacion zyrtar për procedurën e prokurimit të Lotit 1 “Shqiponja”, duke pyetur për shpalljen e fituesit dhe ankesat e mundshme. Balluku i përgjigjet: “Të plasi trapi, bëj punën dhe zbato ligjin… Nesër publikoji të gjitha në darkë”. Sipas hetimit, të nesërmen, më 6 tetor 2021, në orën 20:03, në sistemin elektronik të prokurimit është përfunduar vlerësimi i ofertave nga Komisioni i Vlerësimit të Ofertave, për procedurën “Ndërtim i Unazës së Jashtme Tiranë, Loti 4”.

Në datën 01.10.2021, në orën 10:47, Belinda Balluku i dërgon Evis Berberit mesazhin “Bëhu gati për unazat të hënën në mëngjes”. Pas disa shkëmbimeve mesazhesh për sqarime rreth njoftimit dhe mundësisë së publikimit në darkë, më 10:52, Balluku i shkruan: “Asnjë ndryshim”. Më vonë, rreth orës 21:31-21:32, Balluku sqaron: “Jo, të mërkurën. Ikni shijoni fundjavën. Merruni me punë serioze. Ke një pleh aty që flet”.

Në datën 05.10.2021, Evis Berberi i dërgon Belinda Ballukut mesazhin: “Ka ardhur Stop dhe kërkon informacion për procedurën e prokurimit Loti 1 (Shqiponja). I thamë bëj kërkesë me shkrim të marrësh përgjigje, e bëri. Kërkojnë të dinë nëse është shpallur fituesi, ka pasur ankesa, nëse nuk është shpallur pse jo? Ben dhe një kronikë jashtë dhe iken”. Balluku përgjigjet: “Të plasi trapi. Bëj punën dhe zbato ligjin. Kur të të vij ty afati i përgjigjes, do të kesh mbaruar me procedurat. Nesër publikoji të gjitha në darkë”.

Në lidhje me komunikimin e mësipërm, nga hetimi rezulton se, të nesërmen, në datën 06.10.2021, në orën 20:03, në sistemin elektronik të prokurimit është përfunduar vlerësimi i ofertave të operatorëve ekonomikë nga Komisioni i Vlerësimit të Ofertave, për procedurën e prokurimit me objekt “Ndërtim i Unazës së Jashtme Tiranë. Loti 4”.

GJKKO ka bërë një vlerësim të detajuar mbi rastin e hetimeve penale ndaj ish-zyrtarëve të lartë, përfshirë Belinda Ballukun, të pezulluar nga detyra, dhe vartësit e saj, Gentian Gjyli dhe Erald Elezi. Hetimet lidhen me dy procedura prokurimi: “Ndërtimi i tunelit të Llogarasë” dhe “Ndërtimi i Unazës së Jashtme Tiranë, Loti 4”. Ndaj ish-ministres janë caktuar masat e pezullimit nga detyra dhe sekuestrimi i pasaportës, ndërsa për dy vartësit e saj, administratorin e KESH, Erald Elezi dhe drejtorin e Autoritetit Rrugor Shqiptar, ARRSH, Gentian Gjyli, u la në fuqi masa “arrest shtëpie”.

Sipas Gjykatës, ekziston rreziku që Belinda Balluku të arratiset dhe të prishë provat e hetimit. Po ashtu, ajo mund të dënohet deri në 5 vite burgim. Në rastin e hetimeve ndaj saj, Gjykata ka konstatuar se ekzistojnë rrethana që tregojnë dyshim të arsyeshëm për kryerjen e veprave penale të “Shkeljes së barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, në bashkëpunim. Këto vepra lidhen me veprimet që kanë krijuar avantazhe ose privilegje të padrejta për të tretët, duke penguar konkurrencën e ndershme në procedurat e prokurimit. Sipas Gjykatës, subjekt i kësaj vepre penale mund të jetë vetëm personi me funksion shtetëror ose publik, ndërsa nga ana subjektive, krimi kryhet me dashje të drejtpërdrejtë, shpesh për arsye interesi personal, lidhjesh me të afërm, miq ose për përfitime materiale dhe morale.

Scroll to Top