Hillary Clinton dëshmon për rastin Epstein: Mohohet njohuria për krimet

Hillary Clinton ka dhënë dëshmi para ligjvënësve amerikanë në lidhje me rastin Epstein, duke deklaruar se nuk ka pasur dijeni për aktivitetet e tij kriminale.

Ish-Sekretarja e Shtetit, Hillary Clinton, po merr pjesë në një seancë dëgjimore para anëtarëve të Komitetit të Mbikëqyrjes së Dhomës së Përfaqësuesve të SHBA-së, si pjesë e hetimit për veprimtarinë kriminale të Jeffrey Epstein. Clinton ka bërë publike një deklaratë hapëse ku mohon çdo njohuri rreth aktiviteteve kriminale të Epstein dhe Ghislaine Maxwell.

Ajo ka sfiduar Komisionin që të drejtojë pyetje të drejtpërdrejta Presidentit Donald Trump, në vend që të mbështetet në informacionet mediatike. Clinton ka deklaruar: “Nëse ky komision është serioz për të zbuluar të vërtetën për krimet e trafikimit të Epstein, ai nuk do të mbështetej në shtyp për të marrë përgjigje nga presidenti ynë aktual; do ta pyeste atë drejtpërdrejt nën betim për dhjetëra mijëra herë që shfaqet në dosjet e Epstein.”

Clinton ka theksuar se nuk disponon asnjë informacion që lidhet me hetimet për veprimtarinë kriminale të Epstein dhe Maxwell. Ajo ka mohuar të ketë pasur njohuri për aktivitetet kriminale të tyre, si dhe ka deklaruar se nuk e ka takuar kurrë Epstein, nuk ka fluturuar me avionin e tij dhe nuk ka vizituar ishullin, shtëpitë ose zyrat e tij.

Sipas fjalëve të saj, të cilat i ka theksuar edhe në deklaratën e betuar më 13 janar: “Nuk kisha idenë për aktivitetet e tyre kriminale. Nuk mbaj mend të kem takuar ndonjëherë zotin Epstein. Nuk kam asgjë për t’i shtuar kësaj.”

Dëshmia e Clinton vjen në kohën kur hetimet për Epstein dhe rrjetin e tij të trafikimit seksual vazhdojnë të jenë në qendër të vëmendjes së mediave dhe ligjvënësve amerikanë. Deri më tani, asnjë dokument apo referencë që lidhet me Clinton nuk sugjeron përfshirje të saj në aktivitetet e krimit të organizuar të Epstein.

Scroll to Top