Holanda e Finlanda dërgojnë ushtarakë në Groenlandë

Holanda dhe Finlanda i janë bashkuar vendeve evropiane që kanë njoftuar dërgimin e personelit ushtarak në Groenlandë. Ky veprim vjen në një kontekst të tensionuar, pas deklaratave të presidentit amerikan Donald Trump për marrjen e kontrollit të ishullit arktik, i cili është nën sovranitetin danez.

“Siguria në rajonin e Arktikut, përfshirë Groenlandën, ka rëndësi strategjike për të gjitha vendet anëtare të NATO-s”, deklaroi ministri holandez i Mbrojtjes, Ruben Brekelmans, nëpërmjet një njoftimi zyrtar.

Ai shtoi se Holanda, së bashku me vende të tjera të NATO-s, po merr pjesë në një mision të përbashkët zbulimi në Groenlandë, si pjesë e një stërvitjeje ushtarake në Arktik. “Ministria e Mbrojtjes do të dërgojë një oficer të marinës”, sqaroi Brekelmans.

Ndërkohë, Ministria e Mbrojtjes e Finlandës bëri të ditur se do të dërgojë dy oficerë ushtarakë ndërlidhës në Groenlandë, me qëllim shqyrtimin e mundësive për aktivitete të përbashkëta stërvitore.

Njoftimet nga Amsterdami dhe Helsinki vijnë pas vendimeve të ngjashme nga Franca, Suedia, Gjermania dhe Norvegjia, të cilat gjithashtu kanë paralajmëruar dislokimin e personelit ushtarak në këtë zonë strategjike të Arktikut.

Scroll to Top