Homazhe për Ismet Bellovën, legjenda e sportit shqiptar

Homazhe për Ismet Bellovën, legjenda e mikrofonit sportiv përcillet për në banesën e fundit

Janë mbajtur sot në Tiranë homazhe në nderim të Ismet Bellovës, zërit legjendar të komentimit të ndeshjeve të futbollit, i cili u nda nga jeta një ditë më parë në moshën 91-vjeçare.

Pas homazheve, që u zhvilluan nga ora 10:00 në hollin e RTSH-së, ai u përcoll për në banesën e fundit.

Ndarja nga jeta e Ismet Bellovës është një humbje e madhe për sportin dhe median shqiptare. Kujtimi i tij do të mbetet i gjallë te brezat që edukoi, te dëgjuesit që e ndoqën dhe te historia e sportit shqiptar, ku emri i tij zë një vend nderi.

Kush ishte Ismet Bellova?

Bellova e nisi rrugëtimin e tij në sport herët, që në vitin 1948, kur u shpall kampion i vendit për të rinj në pingpong. Emri i tij u bë pjesë e historisë së transmetimeve sportive shqiptare më 29 nëntor 1950, me komentimin e ndeshjes Dinamo – Partizani 1–0, finalja e Kupës së Shqipërisë, duke shënuar fillimin e një karriere të gjatë në Radio Tirana.

Për kontributin e jashtëzakonshëm në sport, arsim dhe gazetari, ai u nderua me tituj e dekorata të shumta, ndër të cilat:

  • “Mësues i Popullit”
  • Urdhrin “Naim Frashëri” Klasi I dhe të Artë
  • Urdhrin e Punës Klasi I
  • “Nderi i Sportit Shqiptar”
  • “Urdhri Olimpik”
  • “Mirënjohja e Tiranës”
  • “Nderi i Sportit Dibran”
  • Titullin “Kalorësi i Urdhërit të Flamurit”

Në vitin 2004 u krijua Çmimi “Ismet Bellova” në gazetarinë sportive. Ai u vlerësua gjithashtu me Çmimin e Karrierës në TVSH, dy herë me Çmimin “Anton Mazreku”, si dhe me Mikrofonin e Artë në TVSH.

Scroll to Top