Human Rights Watch kritikon Italinë për politikat e imigracionit: Model represiv
Organizata Human Rights Watch ka shprehur kritika ndaj Italisë lidhur me politikat e saj të imigracionit, duke e cilësuar si një “model represiv”. Sipas raportit të publikuar nga HRW, Italia ka zbatuar një qasje shtypëse në menaxhimin e imigracionit, e cila përfshin ndalimin e emigrantëve në Shqipëri në pritje të deportimit dhe vështirësimin e operacioneve humanitare të shpëtimit në det.
“Italia ka ndjekur një model shtypës të kontrollit të imigracionit, i cili përfshinte ndalimin e njerëzve në Shqipëri në pritje të deportimit dhe pengimin e operacioneve humanitare të shpëtimit në det,” thuhet në raport.
Raporti thekson gjithashtu se autoritetet italiane kanë injoruar një urdhër arresti ndërkombëtar për një zyrtar libian, i cili kërkohet nga Gjykata Penale Ndërkombëtare (GJPN) për krime kundër njerëzimit.
Human Rights Watch shpreh shqetësim edhe për të ashtuquajturat “masa të reja të sigurisë”, duke paralajmëruar për pasoja serioze ndaj lirisë së shprehjes dhe të shoqërimit.
“Përpjekjet e institucioneve të BE-së dhe shteteve anëtare për të kufizuar me çdo kusht imigracionin në Bashkim kanë vazhduar të rezultojnë në rreziqe serioze dhe shkelje të të drejtave të njeriut,” vijon raporti.
Organizata alarmon gjithashtu për raste të profilizimit racor nga policia dhe për dhunën ndaj grave.
Raporti i bën thirrje qeverisë italiane të rishikojë politikat e saj në mënyrë që të jenë në përputhje me standardet ndërkombëtare të të drejtave të njeriut.
Çfarë është HRW?
Raporti vjetor i Human Rights Watch është një dokument analitik që monitoron situatën e të drejtave të njeriut në më shumë se njëqind vende anembanë botës. Ai publikohet çdo vit dhe mbështetet në kërkime në terren, dëshmi të drejtpërdrejta, të dhëna të verifikuara dhe analiza ligjore. Raporti vlerëson veprimet e qeverive dhe institucioneve, raporton shkelje dhe tendenca shqetësuese, dhe ofron rekomandime për komunitetin ndërkombëtar. Ai konsiderohet si një nga burimet më autoritative në nivel global për çështjet e të drejtave të njeriut.
