“`html
ILD kërkon masë disiplinore ndaj prokurores Besiana Sadikaj
Inspektori i Lartë i Drejtësisë (ILD) ka paraqitur pranë Këshillit të Lartë të Prokurorisë (KLP) një kërkesë për fillimin e procedimit disiplinor ndaj prokurores së Sarandës, Besiana Sadikaj.
Kërkesa ka të bëjë me shkeljen e rregullave dhe solemnitetit të sjelljes në marrëdhëniet me drejtuesin dhe personelin e administratës. ILD ka kërkuar gjithashtu caktimin e masës disiplinore “vërejtje publike”.
Prokurorja Sadikaj ka kundërshtuar kërkesat, duke dhënë shpjegime për rastet për të cilat ngrihen pretendime.
Hetimi disiplinor ndaj saj ka nisur bazuar në ankesat e ish-drejtuesit të prokurorisë së Sarandës, Kledian Llaho, i cili u shkarkua nga detyra për probleme me pasurinë dhe cënimin e besimit. Ndërkohë, edhe prokurorja Sadikaj kishte depozituar ankesa ndaj Llahos, bazuar në të cilat KLP i kishte caktuar atij dy masa disiplinore.
Përfaqësuesja e ILD-së ka parashtruar se prokurorja Sadikaj ka kryer veprime në kundërshtim me standartet e etikës, duke u konsideruar sjellje të padenja, të pahijshme dhe pa vetëpërmbajtje, si dhe në shkelje të parimit të garantimit të besimit të publikut tek drejtësia.
Sipas ILD-së, këto veprime janë kryer me dashje direkte dhe kanë sjellë si pasojë diskreditimin e pozitës dhe figurës së magjistratit, si dhe cenimin e besimit të publikut te drejtësia.
“Fakti se kjo sjellje është kryer në zyrën e drejtuesit të prokurorisë, si dhe në zyrat ku ushtrojnë veprimtarinë e tyre oficerë të policisë gjyqësore, brenda ambientit ku prokurorja ushtron funksionin, ekziston rreziku që të ndiqet edhe nga magjistratë të tjerë,” vlerëson ILD.
Megjithatë, duke marrë parasysh se shkelja është kryer për herë të parë dhe përvojën e pakët në funksion (dy vite), ILD konkludon se veprimet e Sadikaj përbëjnë “shkelje të lehtë disiplinore”.
ILD argumenton se qëllimi thelbësor i masës disiplinore është mbrojtja e interesit publik, deklarimi i përgjegjësisë disiplinore të magjistratit dhe marrja e masave për edukimin e tij.
Në përfundim, ILD i kërkoi KLP-së pranimin e kërkesës për fillimin e procedimit disiplinor ndaj prokurores Besiana Sadikaj dhe caktimin ndaj saj të masës disiplinore “Vërejtje publike”.
Gjatë seancës, përfaqësuesja e ILD-së argumentoi se prokurori nuk mund të hyjë në zyrën e drejtuesit pa u lejuar.
Prokurorja Sadikaj u shpreh se nuk kishte hyrë në zyrë pa leje, por kishte qëndruar në korridor dhe kishte trokitur. Ajo shtoi se drejtuesi i prokurorisë i ishte kthyer me tone agresive dhe kishte fotokopjuar materiale të punës së saj për t’ia dërguar ILD-së.
Një anëtar i KLP-së pyeti përfaqësuesen e ILD-së nëse ishte e nevojshme thirrja e 11 anëtarëve të këshillit për të shqyrtuar një situatë 15-sekondëshe.
Përfaqësuesja e ILD-së shpjegoi se, pavarësisht kohës së shkurtër, bëhej fjalë për dy momente kyçe: mënyrën e hyrjes në zyrë dhe shpërfilljen e titullarit.
Prokurorja Sadikaj u pyet gjithashtu lidhur me kontrollin e një kompjuteri të një hetuesi. Ajo shpjegoi se bëhej fjalë për një të dhënë sekrete, një përgjim ambiental që kishte dalë edhe në kompjuterin e hetuesit. Sadikaj pohoi se hetuesit i kishin dhënë leje për të kontrolluar, duke shtuar se më vonë ishte vërtetuar një gabim teknik dhe për këtë arsye nuk kishte bërë kallëzim.
Seanca dëgjimore u shty për datë 4 nëntor, në orën 10:00.
“`
