Ilir Meta, vendim gjykate i “regjizur” nga Gjykata e Lanës

“Drejtësi me regji”, Meta reagon: Nuk ka surpriza nga Gjykata e Lanës

Ish-presidenti Ilir Meta ka reaguar pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese të Shqipërisë, e cila vendosi ta lërë në burg. Në reagimin e tij, Meta e cilësoi vendimin si “drejtësi me regji”, duke lënë të kuptohet se, sipas tij, procesi nuk ka qenë i pavarur.

Ai paralajmëroi gjithashtu një përballje në seancën e ardhshme gjyqësore, ndërsa u bëri thirrje mediave të jenë të pranishme për të ndjekur zhvillimet.

Reagimi:

“Asnjë surprizë nga Gjykata e Lanës! Pasi e zvarriti çështjen prej 6 muajsh, përtej çdo afati të arsyeshëm, me qëllim vonimin në rrugën tonë drejt Strasburgut, sot tregoi edhe njëherë se kjo Gjykatë nuk di të zhgënjejë. Vlerësimin tim për të e kam thënë që më 2 Mars 2020, kur këta betoheshin te Lana. Por të paktën të kenë fare pak dinjitet dhe të mos vonojnë zbardhjen e vendimit të tyre.

Edhe njëherë i ftoj të gjithë mediat dhe gazetarët, më 27 prill, në seancën e parë të gjykimit në themel, dhe në të gjitha seancat e tjera, ku do të jem ballë për ballë me bandën, që më rrëmbeu në mënyrë banditeske dhe ku do të çmontojmë këtë proces farsë të neveritshëm të drejtësisë me regji.”

Scroll to Top