Fotovoltaikët: Qeveria miraton ndërtimin e një impianti 128MW në Fier
Qeveria ka miratuar, gjatë mbledhjes së saj të kësaj të premteje, ndërtimin e një centrali gjenerues të energjisë elektrike fotovoltaike dhe veprave ndihmëse. Ky projekt, i cili nuk është objekt koncesioni dhe nuk përfiton nga masa mbështetëse, do të ndërtohet në Sheq-Marinas, Fier, nga shoqëria “SOLEN ENERGY”, sh.p.k.
Impianti do të ketë një kapacitet të instaluar prej 128 MW dhe do të operojë si prodhues i pavarur, duke shitur energjinë në treg të lirë. Sipas vendimit të qeverisë, afati për ndërtimin, pajisjen me leje ndërtimi dhe vënien në operim të impiantit fotovoltaik do të jetë brenda 36 muajve nga data e hyrjes në fuqi të vendimit. Afati i operimit të impiantit do të jetë 49 vjet nga hyrja në fuqi e po këtij vendimi.
Shoqëria e angazhuar është e detyruar t’i japë shtetit 2% të energjisë së prodhuar ose vlerën e barazvlefshme në lekë. Vendimi detajon detyrimet e shoqërisë “SOLEN ENERGY”, sh.p.k.:
- Të paraqesë periodikisht (çdo tre muaj), pranë Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë dhe Agjencisë Kombëtare të Burimeve Natyrore, informacion mbi ecurinë e ndërtimit të centralit fotovoltaik.
- Të respektojë kushtet e përcaktuara në lejet, licencat dhe autorizimet paraprake mjedisore, të lëshuara nga institucionet përgjegjëse kombëtare.
- Të dorëzojë sigurimin e kontratës, në masën jo më pak se 5% të vlerës së investimit, para nënshkrimit të kontratës mes shoqërisë “SOLEN ENERGY”, sh.p.k., dhe ministrisë. Kjo kontratë do të përcaktojë të drejtat dhe detyrimet e palëve, penalitetet në rast mosrealizimi, si dhe çështje të tjera lidhur me zbatimin e projektit.
- T’i japë falas, në formë royalty, ministrisë përgjegjëse për energjinë, 2% të sasisë vjetore të prodhimit të energjisë elektrike ose konvertimin e saj në vlerë monetare. Në rast konvertimi në vlerë monetare, shuma do të derdhet tërësisht në buxhetin e shtetit.
- Të përmbushë kërkesën, sipas rastit, që një pjesë e prodhimit të burimit gjenerues të energjisë t’i shitet furnizuesit publik, sipas legjislacionit në fuqi.
