Impiant i ri ujërash të zeza për Berat – Mbrojtje mjedisore

Berat do të ketë së shpejti një impiant për trajtimin e ujërave të ndotura

Qyteti i Beratit do të jetë destinacioni i radhës ku do të ndërtohet një impiant për trajtimin e ujërave të ndotura. Shoqëria e Ujësjellës-Kanalizimeve Berat-Kuçovë ka paraqitur së fundmi pranë institucioneve kompetente koordinatat e sakta ku do të zhvillohet ky projekt, sipas kërkesave ligjore. Gjithashtu, janë dhënë detaje mbi kapacitetin dhe punimet që do të kryhen për këtë impiant.

Dokumenti i vlerësimit të ndikimit në mjedis thekson se ky projekt, pjesë e Programit të Infrastrukturës Bashkiake V (me synim vitin 2045), do të përmirësojë ndjeshëm grumbullimin dhe trajtimin e ujërave të zeza në zonën e Beratit, duke implementuar disa masa prioritare:

  • Ndërtimi i një Impianti të Ri për Trajtimin e Ujërave të Ndotura (ITUN) në Berat: Ky impiant do të ketë një kapacitet trajtimi prej 45,000 PE (ekuivalent për banor, ku 1 PE përfaqëson ngarkesën mesatare ndotëse të prodhuar nga një banor në ditë). Trajtimi do të përfshijë procese mekanike dhe biologjike (tretje aerobike e llumit), heqjen dhe tharjen diellore të llumit, si dhe gjenerimin e energjisë termike dhe elektrike nëpërmjet impianteve të kombinuara të nxehtësisë dhe energjisë (CHP), duke përdorur biogazin e prodhuar nga tretësi.
  • Mbrojtja e lumit dhe parandalimi i përmbytjeve: Do të kryhen punime për mbrojtjen nga erozioni i lumit dhe mbrojtjen nga përmbytjet në zonën ku do të ndërtohet ITUN-i.
  • Ndërtimi i rrjetit të ri të kanalizimeve: Do të ndërtohen 2.92 km rrjet i ri kanalizimesh, që do të lidhë zonën urbane të Beratit me ITUN-in e ri. Kjo do të bëhet duke filluar nga një Pusetë e Re Grumbullimi dhe Struktura e Kombinuar e Teperderdhjes së Kanalizimeve (CSO) pranë pikës ekzistuese të shkarkimit të sistemit, afër Rrugës Bostanet.
  • Ndërtimi i Stacionit të ri të Pompimit: Do të ndërtohet një stacion i ri pompimi në zonën e Gorricës së Re, së bashku me një rrjet me presion.
  • Ndërtimi i gjashtë CSO-ve të tjera: Do të ndërtohen gjashtë struktura të tjera CSO në pikat ekzistuese të shkarkimit të ujërave të zeza në lokacionet “Kombit”, “Qyteti i Vjetër”, “Monument”, “Biblioteka”, “Otoman” dhe “Stadium”. Këto struktura do të lidhen me rrjetin ekzistues të kanalizimeve, me kanalizimet e reja ose të rindërtuara, dhe me kanale përcjellëse.

Sipas dokumentit, problemi më i madh për sa i përket higjienës dhe mbrojtjes së mjedisit në zonën e projektit është mungesa e një impianti të trajtimit të ujërave të zeza në Berat. Për pasojë, ujërat e zeza derdhen të pa trajtuara drejt për drejt në lumin Osum, përmes disa daljeve ekzistuese.

Scroll to Top