Imuniteti i Ballukut: PD mblidhet në Këshillin e Mandateve, PS nuk shkon
Pas mbledhjes së Sekretariatit të Etikës, kreu i Grupit Parlamentar të PD, Gazment Bardhi, komentoi për mediat shqyrtimin e kërkesës së SPAK për heqjen e imunitetit të zv/kryeministres Belinda Balluku.
Bardhi theksoi se gjendja e lirë e të pandehurës paraqet rrezik real për hetimin, duke shpjeguar se ekzistojnë dyshime për ndërhyrje ndaj dëshmitarëve dhe mundësi për shkatërrim provash.
Ai kritikoi mungesën e deputetëve socialistë në mbledhje, duke e cilësuar si pengesë ndaj funksionimit normal të Këshillit të Mandateve dhe procesit të drejtësisë.
Deputeti i PD-së nënvizoi se shqyrtimi i kërkesës për heqjen e imunitetit është i ngutshëm, pasi hetimet për veprime të tjera penale ndaj Ballukut vazhdojnë dhe situata kërkon reagim të menjëhershëm nga Kuvendi.
Deklaratat e plota të Bardhit:
“Njësoj si kriminelët që i fshihen drejtësisë edhe kolegët e mazhorancës janë të fshehur. Kolegët e mazhorancës nuk janë paraqitur në një mbledhje të vlefshme. Pengimi i drejtësisë me urdhër politik të Edi Ramës është akti më i rëndë që ka kryer Kuvendi gjatë këtyre viteve demokraci. Nuk mundet që një kryeministër të urdhërojë deputetët të mos mbledhin Këshillin e Mandateve.
Unë për herë të parë dua t’ju lexoj pjesë nga kërkesa që SPAK ka sjellë në Kuvend dhe e bën të ngutshme mbledhjen. Balluku ka interes për të zvarritur çështjen. Pse pesë anëtarë të Këshillit bëhen zëdhënës të një të pandehuri për veprime korruptive që kapin vlerën e 1.1 miliardë eurove.
SPAK ka argumentuar se “në vijim të hetimeve nga përdorimi i metodave speciale kanë rezultuar të dhëna se nga ana e Ballukut ka ushtruar presion në forma të ndryshme ndaj personit të pyetur, konkretisht një vartëse të saj. Jemi në kushtet e zëvendësimit të masës së sigurimit për Belinda Ballukun. Vlerësojmë se pas caktimit të masës së sigurimit, nevojat e sigurimit janë rënduar ndaj të pandehurës Belinda Balluku.
Pasi po kryhen hetime penale për procedura të tjera. Gjendja e lirë e të pandehurës paraqet rrezik të vërtetë. Ekziston mundësia që ajo të asgjësojë ose të prishë provat. E pandehura Belinda Balluku ka bërë përpjekje për të ndikuar tek dëshmitarët. Largimi i të pandehurës është evident”.
Nuk guxojnë ta shkarkojnë Mirlindën, se ajo i merr me vete, bashkë me Lindën. Po tentojnë që të prishin hetimet. Ne, pesë anëtarët e opozitës, do të thërrasim sërish Këshillin, ditën e premte, ora 11:00”, tha Bardhi.
