Incident i tensionuar Milan-Roma: Arbitri godet lojtarin e Milanit

VIDEO/ Episod i pazakontë gjatë Milan-Roma: Gjyqtari shkelmoi lojtarin e Milanit, i cili festoi gabimin e Dibala nga pika e penalltisë

Ndeshja mes Milanit dhe Romës prodhoi një episod të rrallë në fundin e saj, pikërisht gjatë një penalltie për Romën. Protagonist kryesor i këtij incidenti u bë arbitri kryesor, Marko Guida. Pasi Paulo Dibala gaboi nga pika e bardhë, duke u ndalur nga portieri Menja, lojtari i Milanit, Rafael Leao, shihet duke festuar me entuziazëm.

Në atë moment, arbitri Guida i afrohet Leaos dhe më pas e godet lehtë me shkelm nga pas. Ish-arbitri ndërkombëtar italian, Graziano Çezari, ka vlerësuar si të pajustifikueshëm këtë gjest nga ana e arbitrit kryesor, i cili mban stemën e FIFA-s.

“Leao bën një festim të fuqishëm, duke u drejtuar drejt arbitrit, që mund të konsiderohet si një provokim. Megjithatë, Guida nuk duhet ta ekzagjeronte. Në raste të tilla, nëse ka një teprim, lojtari duhet të ndëshkohet me karton të verdhë, ose nëse ka fyerje, edhe me karton të kuq. Por, arbitri i afrohet dhe e godet lehtë me shkelm. Ky është një veprim dhe sjellje që nuk i takon një arbitri ndërkombëtar,” u shpreh Çezari.

Ai shtoi se ky gjest duket se është bërë me dashje, pasi arbitri i është afruar shumë lojtarit. “Ky nuk është mënyra e duhur për t’i treguar se nuk dëshiron të ketë të tilla situata. Më pas, edhe lojtari belg kthehet dhe e akuzon arbitrin, duke thënë ‘ishe ti, ishe ti’,” shpjegoi Çezari.

Scroll to Top