Incident me armë në Lezhë: Zbardhet dinamika e atentatit

Zbardhet dinamika e përplasjes me armë në berberhanen e Lezhës

Është zbardhur dinamika e përplasjes me armë zjarri që ndodhi në Rrilë të Lezhës mbrëmjen e 1 shkurtit. Pamjet e kamerave të sigurisë kanë zbuluar se autorët kishin informacion të saktë për praninë e Merando Nikulajt në berberhane, i cili ishte edhe objektivi i atentatit.

Dy autorë të maskuar, të armatosur me shkopa bejsbolli, hynë në sallon, duke shkaktuar një shkëmbim të fortë zjarri. Gjatë këtij incidenti, pronari i berberhanes, Sokol Daci, mbeti i plagosur aksidentalisht nga tre plumba.

Sipas pamjeve filmike, autorët u afruan pranë berberhanes me dy automjete të ndryshme. Dy prej tyre, të maskuar me kapuçë dhe me shkopa bejsbolli në duar, hynë brenda sallonit.

Nga këqyrja e kamerave të sigurisë, hetuesit kanë ngritur dyshime të forta se personi i parë që qëlloi me armë zjarri për t’i neutralizuar ishte polici i patrullës së përgjithshme, Besart Kovaçi, 24 vjeç.

Pasi janë hasur me të shtënat, autorët e tjerë që ndodheshin në dy mjetet kanë qëlluar me mbi 30 plumba kallashnikovi në drejtim të sallonit.

Deri në këtë fazë të hetimit, janë identifikuar 3 nga të dyshuarit: Gerardo Ndoka, Eliseo Ndoka dhe Kevin Ndoka, të cilët janë shpallur në kërkim me akuzën e tentativës së vrasjes.

Për të njëjtën vepër penale, policia ka shpallur në kërkim edhe 21-vjeçarin Merando Nikulaj. Ai dyshohet të ketë mbetur i plagosur në këmbë, pasi në largim nga vendi i ngjarjes, kamera e sigurisë e ka kapur duke ecur me vështirësi. Ai dyshohet gjithashtu të ketë qëlluar me armë zjarri nga brenda berberhanes.

Policia po ushtron kontrolle në disa zona ku dyshohet se mund të fshihen të kërkuarit, por ende nuk ka mundur të bjerë në gjurmët e tyre.

Ndërkohë, me urdhër të prokurorisë, është ndaluar efektivi Besart Kovaçi, i dyshuar për shpërdorim detyre. Polici 24-vjeçar ndodhej në shoqërinë e Nikulajt në momentin e ngjarjes.

Shkak i konfliktit me armë dyshohet të jetë një zënkë e ndodhur një vit më parë mes pjesëtarëve të familjes Ndoka dhe Merando Nikulajt. Sherri ka ndodhur në mars 2025, në zonën e Kune-v Shëngjinit. Në atë kohë, Merando Nikulaj dhe një kushëri i tij janë përfshirë në një konflikt pranë zonës së plazhit, ku familjet kanë hotele. Gjatë asaj përplasjeje, dy të rinj nga familja Nikulaj dyshohet se kanë përplasur me motor dy të rinj nga fisi Ndoka, duke çuar më pas në një konflikt fizik ku janë përdorur shkopa bejsbolli dhe sende të forta.

Scroll to Top