Industria Fason Shqiptare: Sfida, Punëtorë të Huaj & Cikli i Mbyllur

Punonjësit vendas në industrinë e fasonit po zëvendësohen me të huaj

Punonjësit e industrisë fason, në pjesën dërrmuese femra, shpeshherë nuk kanë arsim të lartë dhe kanë njohuri të kufizuara për teknologjinë dhe inovacionin. Gjatë dekadës së fundit, ky sektor nuk ka qenë më tërheqës për të rinjtë, për shkak të pagave të ulëta dhe orareve të gjata të punës në kushte të vështira.

Kompanitë pohojnë se tashmë, forca e punës nuk përbën më një problem të madh, pasi një valë punonjësish nga vende të tjera, me paga jo më shumë se 500 euro në muaj, po vijnë në Shqipëri dhe po punojnë me sukses. Prej vitesh, fabrikat po furnizohen me punonjës të huaj, duke favorizuar ata me më shumë aftësi. Edhe pse shpenzimet shtesë mujore për këta punonjës janë rreth 100-150 euro më të larta se për punonjësit shqiptarë, ata konsiderohen më fitimprurës, pasi punojnë me orare të zgjatura dhe nuk kërkojnë leje të shpeshta për arsye familjare.

Nga njëra anë, përparimet teknologjike kanë ndryshuar thelbësisht mënyrën e prodhimit, duke krijuar nevojën për trajnim të vazhdueshëm dhe adaptim ndaj metodave të reja. Dixhitalizimi po transformon vendet e punës, duke eliminuar disa pozicione dhe duke krijuar të tjera. Si pjesë e këtij procesi, projekti Digi4Wearables, i koordinuar nga Qendra Portugeze e Këpucëve Teknologjike (CTCP), synon të përmirësojë aftësitë dixhitale dhe njohuritë për prodhimin e gjelbër dhe dixhital në kompanitë shqiptare të këpucëve.

Kalimi drejt produkteve me vlerë më të lartë kërkon fuqi punëtore më të kualifikuar dhe efikasitet operativ më të madh. Ekspertët theksojnë domosdoshmërinë e investimit të synuar në arsim dhe trajnim profesional, si dhe bashkëpunimin më të ngushtë midis instituteve teknike.

Në vitin 2023, industria e tekstileve dhe këpucëve numëronte 48.4 mijë punonjës, një ulje prej 7% krahasuar me vitin 2019. Megjithatë, të dhënat nga indekset e punësimit tregojnë për një reduktim më të fortë në vitet 2024 dhe 2025.

Vetëm 5% e prodhimit me cikël të mbyllur

Sektori i prodhimit të veshjeve dhe këpucëve në Shqipëri përllogarit se aktualisht vetëm 5% e prodhimit realizohet me cikël të mbyllur.

Një nga kompanitë më domethënëse në këtë drejtim është “DBS Group” në Tiranë, një kompani me kapital italian, e cila që nga viti 2014 ka ngritur dy njësi prodhimi dhe është e përfshirë në të gjitha fazat e procesit, duke filluar nga përgatitja e materialeve, prerja, qepja, kontrolli i cilësisë, paketimi deri te produkti përfundimtar.

DBS konsiderohet një fabrikë plotësisht e integruar, e cila punëson mbi 600 persona dhe ka përfituar nga bashkëpunimi me gjigantin francez “Decathlon Group”, për të cilin prodhon veshje sportive dhe aksesorë. Kompania ka investuar në teknologji miqësore me mjedisin, duke përdorur panele diellore për prodhimin e energjisë, sisteme të ngrohjes dhe ftohjes me fibra karboni dhe riciklim natyral të ajrit. Këto elemente e bëjnë atë një model të zhvillimit të qëndrueshëm në industrinë shqiptare të fasonëve.

Një tjetër shembull është “Denim Factory Group”, i cili ka zbatuar praktika të qëndrueshme, si ulja e konsumit të ujit në proceset e larjes së xhinseve dhe përdorimi i metodave të analizës së ciklit të jetës për të reduktuar ndikimin mjedisor. Fabrika ka investuar në teknologji të avancuar dhe po synon të forcojë profilin e saj si prodhues “Made in Albania”, duke kaluar nga modeli klasik “cut-make-trim” (vetëm qepje për llogari të markave të huaja) drejt prodhimit të pavarur nën markë shqiptare.

Në mënyrë të ngjashme, Samwear Sh.p.k., një nga kompanitë më moderne në sektorin e modës, përdor teknologjinë e printimit dixhital sublimativ, e cila lejon krijimin e dizajneve me precizion të lartë dhe me më pak mbetje. Kjo e rendit atë mes prodhuesve të parë vendas që po investojnë në ciklin e mbyllur të prodhimit.

Sipas një studimi të Departamentit të Tekstilit dhe Modës në Universitetin Politeknik të Tiranës, rreth 56% e kompanive të anketuara deklarojnë se synojnë të kalojnë në cikël të plotë prodhimi, ndërsa 35% të tjera e kanë këtë plan afatshkurtër. Megjithatë, ato pengohen nga mungesa e investimeve dhe e lëndëve të para vendase. Kalimi drejt një modeli të tillë është një proces i ngadalshëm që kërkon kapital, teknologji dhe fuqi punëtore të kualifikuar, pasi shumë kompani ende varen nga importi i materialeve nga Italia apo Turqia.

Në thelb, fabrikat që kanë arritur të krijojnë ciklin e mbyllur përfaqësojnë një drejtim të ri të industrisë shqiptare fason, e cila po përpiqet të largohet nga roli i nënkontraktorit për markat e huaja dhe të zhvillojë produkte me vlerë të shtuar dhe identitet vendas. Ky transformim është thelbësor për të garantuar konkurrueshmëri, punësim të qëndrueshëm dhe përfshirje të gjerë.

Pjesa dërrmuese e kompanive (rreth 95%) vazhdon të punojë me modelin tradicional “cut-make-trim” (CMT), ku ato vetëm qepin ose përgatisin një pjesë të produktit për llogari të markave të huaja, ndërsa materiali, dizajni dhe shitja menaxhohen jashtë vendit.

Scroll to Top