Çmimet po rriten, edhe pse zyrtarisht nuk duken
Inflacioni bazë u rrit përsëri në muajin tetor, duke arritur nivelin më të lartë në dy vitet e fundit. Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, inflacioni bazë u rrit në 3.13%, nga 3.07% që kishte qenë në shtator. Ky tregues ka thelluar rritjen edhe në bazë vjetore; në tetorin e vitit të kaluar, inflacioni bazë ishte në nivelin 2.19%.
Inflacioni bazë llogaritet mbi një grup produktesh dhe shërbimesh që përbëjnë 69.6% të totalit të shportës së Indeksit të Çmimeve të Konsumit. Ky lloj inflacioni përjashton kryesisht produktet me luhatshmëri të lartë, siç janë produktet ushqimore dhe ato energjetike, dhe synon të njohë rritjen e përgjithshme të çmimeve pa ndikimin e luhatjeve afatshkurtra.
Paralelisht, edhe inflacioni bazë neto për muajin tetor u rrit në 3.5%, nga 3.4% që kishte qenë në shtator. Ky nivel mbetet gjithashtu në rritje krahasuar me 2% të një viti më parë. Inflacioni bazë neto përjashton më tej nga inflacioni edhe nëngrupet e ushqimeve të përpunuara (përfshirë bukën dhe drithërat) dhe matet mbi 44.6% të shoqërisë së IÇK-së.
Ndërkohë, inflacioni që përjashton të gjitha produktet ushqimore dhe energjetike për muajin tetor u rrit në 3.36%, nga 3.28% që kishte qenë në muajin shtator.
Sipas INSTAT, inflacioni total në ekonomi, i matur për të gjithë shportën e mallrave dhe shërbimeve të konsumit për tetorin, ra në 2.3%, nga 2.4% që kishte qenë për muajin shtator. Megjithatë, ky nivel është në rritje krahasuar me 1.9% që kishte qenë një vit më parë.
Në raportin e saj të politikës monetare për tremujorin e katërt të vitit, Banka e Shqipërisë vlerëson se:
- Presionet e brendshme inflacioniste janë forcuar, duke u pasqyruar në zgjerimin e aktivitetit ekonomik, kushtet e shtrënguara në tregun e punës dhe rritjen e çmimit të qirave.
Analiza e inflacionit sipas kategorive kryesore të shportës tregon se çmimet e komponentëve më të qëndrueshëm të inflacionit, si shërbimet, strehimi dhe mallrat e konsumit afatgjatë, ishin kontribuuesit kryesorë në formimin dhe rritjen e inflacionit total gjatë tremujorit të tretë. Në veçanti, kategoria e strehim-qirasë përjetoi një zgjerim të inflacionit dhe të kontributit të saj përkatës. Mesatarja e inflacionit për këtë kategori arriti në 5.8% gjatë tremujorit të tretë, duke qenë rreth trefishi i mesatares së 12 muajve paraardhës dhe rreth 2.5 herë më i lartë se mesatarja e periudhës qershor 2021 – qershor 2025. Kontributi i kësaj kategorie në inflacionin total u rrit në 0.8 pikë përqindjeje, nga 0.3 pikë përqindjeje mesatarisht për 12 muajt paraardhës.
Rritje graduale të inflacionit u shënuan edhe në nëngrupet e shërbimeve të lidhura me turizmin, si hotele-restorante-kafene, si dhe në shërbimet e mirëmbajtjes së shtëpisë dhe arsimit. Kjo reflekton rritjen e kërkesës dhe të kostove të punës në sektorët e tjerë të shërbimeve.
Në të kundërt, presionet inflacioniste nga jashtë mbeten të dobëta, të kushtëzuara nga çmimet e ulëta të lëndëve bazë në tregjet ndërkombëtare dhe nga mbiçmimi i kursit të këmbimit të Lekut. Kjo duket të jetë arsyeja kryesore pse inflacioni në total ngelet ende poshtë objektivit, pavarësisht forcimit të presioneve për rritjen e çmimeve nga ekonomia e brendshme.
